Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është deklaruar para mediave me t’u futur në territorin e Kosovës, pasi autoritetet policore serbe sot i pamundësuan të merrte pjesë në një konferencë në Beograd, duke e kthyer mbrapa 85 km para se të mbërrinte në kryeqytetin serb.
Bislimi ka thënë se kishte pasur në plan të merr pjesë në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”.
Bislimi tha se rreth 85 kilometra para se të arrinte në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, policia serbe e kanë njoftuar se vizita duhet të ndërpritet për shkak se delegacionit të Kosovës nuk mund t’i ofrohej siguri.
“Ne kemi paraqitur kërkesën para organeve shtetërore serbe qysh nga java e kaluar dhe gjithçka ishte në rregull. Edhe sot gjithçka ishte në rregull derisa në një moment të caktuar na është thënë se Serbia nuk mund të na ofrojë siguri, apo siguria ka qenë e cenuar”, shtoi zëvendëskryeministri .
“Për neve ky kthim është një sinjal se Serbia nuk është e gatshme të punojë për normalizimin e marrëdhënieve. Është paradoksale që në një konferencë për sigurinë, Serbia pranon se ka njerëz që cenojnë sigurinë dhe pranon se është e dobët për të ofruar siguri për pjesëmarrësit”.
Bislimi thotë se arsyeja e ndalimit është tërësisht tjetër, pasi sipas tij në plan ka qenë që të ofrohen informacione nga Kosova për të vërtetën e zhvillimeve.
“Ne kemi pasur për qëllim që Beogradit dhe korit diplomatik por edhe qytetarëve atje të iu ofrojmë versionin e Kosovës mbi zhvillimet në vend. Ju e dini që qytetarët në Serbi i janë ekspozuar një propagande shumë të tmerrshme nga Qeveria e Serbisë dhe një të vërtete të shpikur rreth zhvillimeve edhe në Kosovë edhe në dialogun me Serbinë”, deklaroi zëvendëskryeministri Bislimi.
I pyetur nëse do të ketë ndonjë tentativë tjetër për të marrë pjesë në konferencë, ai ka thënë se një gjë të tillë do ta bëjë vetëm përmes videolidhjes.
Ai tha se për këtë zhvillim ka njoftuar tashmë edhe faktorin ndërkombëtar.