Zyra e Kryeministrit ka dalë me një komunikatë për takimin që zhvilloi kryeministri Kurti me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.
Në njoftim nuk u tregua shumë përveç disa temave që u folën, por duke theksuar se ka diskutuar edhe për elementet e kornizës së marrëveshjes me Serbinë.
“Mbarëvajtja e procesit të dialogut, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zbatimi i plotë dhe i shpejtë i udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale, ishin temat kryesore të diskutimit”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti e falënderoi Lajçakun për angazhimin e tij në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.
Për marrëveshjen me njohje reciproke refuzoi të fliste emisari Lajçak, i cili tha se është një çështje që varet plotësisht nga Kosova dhe Serbia.
Lajçak për takimin foli pak më parë për gazetarët në Prishtinë. Megjithëse edhe ai ishte i rezervuar në dhënien e detajeve, ai zbuloi edhe tema tjera që kishte folur me Kurtin.
Ndër to ishte edhe kërkesa e BE-së dhe SHBA-së për shtyrjen e afatit të vendimit të targave, propozimi franko-gjerman dhe mbarëvajtja e procesit të dialogut.