Biznesmeni që ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi i ka vizituar në Hagë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Takova ish-Presidentin e Republikës z.Hashim Thaçi, ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës z.Kadri Veseli, ish-Deputetin e Kuvendit të Kosovës z.Rexhep Selimi dhe ish-N/Kryetarin e OVL të UÇK-së z. Nasim Haradinaj”, ka shkruar në Facebook.
Ai ka shprehur keqardhje që për shkak të disa procedurave teknike, krejt legjitime, nuk arriti ta takojë edhe Jakup Krasniqin.
“Qëllimi i vizitës time atje, ishte mbështetja për të përballuar izolimin e padrejtë të tyre”, ka thënë ai.
“Që të gjithë janë mirë me shëndet, të shoqëruar e unik, afër njëri tjetrit siç ishin në luftë. Të bindur e të paluhatshëm në luftën e drejtë të Kosovës dhe UÇK-së”, vazhdon tutje Kelmendi, duke thënë se ka dalë nga takimi i frymëzuar.