Pas dorëzimit të Raportit për Kosovën për vitin 2022, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë mbajtur një konferencë për media.
Szunyog ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të ndodhë sot, më 13 tetor, pasi fillimisht do të ketë diskutime, njofton Klan Kosova.
“Në njërën dorë mund të them se është e rëndësime që Këshilli Evropian të nisë diskutimin e kësaj çështjeje [liberalizimin e vizave për Kosovën] sepse nuk është bërë që nga 2018-ta. Por kjo çështje është një diskutim në nivel të ekspertëve dhe në nivelin e ekspertëve nuk mund të prisni vendime – do të ketë diskutime dhe në fund të fundit është këshilli i ministrave ai që vendos”, ka thënë Szunyog.
Sot mund të merret vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Grupi Punues për Vizat në Kuadër të Këshillit Evropian do ta shqyrtojë dokumentin që i është dërguar të gjitha vendeve anëtare të BE-së, në të cilin thuhet se Kosova i përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.
Ndërsa, të premten më 14 tetor do të mblidhen ministrat e punëve të brendshme të Unionit, konkretisht të Këshillit të Shengenit.
Aty do të diskutohet situata e përgjithshme, me fokus të veçantë në menaxhimin e kufijve të jashtëm dhe do të vendosin veprime në këtë fushë, njofton Klankosova.tv.
Vendimin final për liberalizim, pas kryerjes së procedurave paraprake, e merr Këshilli Evropian (KE) me shumicë të kualifikuar.
Deri më 31 dhjetor, presidencën e BE-së e mban Çekia, që lëvizjen e lirë për kosovarët në zonën Shengen e ka vendosur si njërin prej top prioriteteve të saj, sa i përket Ballkanit Perëndimor.
Kujtojmë se dje është publikuar Raporti për Kosovën për vitin 2022 në të cilin thuhet se vendi ka bërë disa përparime, duke konfirmuar edhe një herë se kriteret për liberalizimin janë përmbushur./Prishtinapress/