Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka deklaruar se gjatë javës së ardhshme do të diskutojnë për një afat kohor se kur përmbyllet procesi i fiskalizimit, derisa njoftoi se përveç kërkesës për ta bërë një ligjin për Lojërat e Fatit dhe ndryshimit të Udhëzimin Administrativ për arin e vlerësueshëm, kanë marrë edhe një propozim për krijimin e listës së bonitetit të kompanive që janë të rregullta në kryerjen e obligimeve karshi institucioneve shtetërore.
Ministria e Financave ka organizuar sot takim diskutimi me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, si dhe përfaqësues të Shoqatave të bizneseve dhe prodhuesve në Kosovë, lidhur me pakon fiskale 2.0.
Në këtë takim morën pjesë ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri dhe ushtruesi i drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Fahri Gashi, si dhe përfaqësues të Shoqatave që janë brenda Odës Ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve të tjera.
Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se qëllimi i këtij takimi është që të prezantohen disa masa të reja të Pakos Fiskale që i kanë aprovuar në Qeveri në dhjetorin e vitit që shkoi dhe të marrin sugjerimet shtesë për të plotësuar këto masa, ose për të nxjerr masa të reja.
“Besojmë në fund janarit ose fillim të shkurtit të kthehemi në Qeveri të aprovojmë këto masa, me afate kohore se kur do të implementohen secila prej këtyre dhe me institucionet përkatëse për implementim e këtyre masave. Ministria e Financave, duke qenë njëri nga institucionet kyçe në krijimin dhe promovimin e politikave më të favorshme fiskale është duke punuar që një kohë të gjatë, në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve, për hartimin e politikave të reja fiskale, si vazhdimësi e reformave fiskale të ndërmarra në vitin e kaluar”, shtoi Hoti.
Sipas tij, masat bazë që parashihet të përmbajë kjo pako e re fiskale janë zgjerimi i listës së produkteve që konsiderohen si lëndë e parë, për lirim nga tatimi doganor, heqja e normës së akcizës në mazut, ndryshim/plotësimi i listës së produkteve që i nënshtrohen normës 0 përqind apo normës së reduktuar 8 përqind të TVSH-së, udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore, nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e veçanta të evidentimit, kontrollit dhe shënjimit të miellit i cili vendoset në qarkullim të lirë në tregun e Republikës së Kosovës, nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e caktuara nën të cilat pranohen humbjet nga prishja, avullimi apo humbja e peshës së naftës dhe produkteve të saj, si dhe krijimi i kodeve të reja doganore për disa produkte, sipas praktikave të BE-së.
Ai më tej shtoi se këto janë shtatë masat që kanë kaluar në Qeveri në dhjetor të vitit që shkoi. Ndërsa në diskutimet që kanë pasur me shoqatat deri tash, kanë marrë edhe propozime të tjera.
“E rëndësishme është se një masë që është propozuar nga diskutimi fillestar që kemi pasur me Odën Ekonomike menjëherë pas diskutimeve që i kemi bërë në qeveri për këto masa është krijimi i listës së bonitetit të kompanive, pra për ato kompani që janë të rregullta në kryerjen e obligimeve karshi institucioneve shtetërore t’i kenë edhe përfitimet e mundshme që mund t’i ofroj Dogana, Administrata Tatimore, Ministria e Tregtisë ose institucionet e tjera që mund të kenë këto kompani”, tha ai.
Ministri Avdullah Hoti gjatë diskutimit theksoi edhe njëherë çështjen e fiskalizimit, me këtë rast falënderoi gatishmërinë e Odës Ekonomike, klubeve të bizneseve, të naftëtarëve, etj, për të lëvizur përpara me këtë projekt dhe ne sot mund të flasim për suksese sa i përket fiskalizimit dhe procesit.
“Besoj që gjatë javës së ardhshme bashkë me kryetarin e Odës dhe kryetarin e naftëtarëve do të ulemi përfundimisht për një afat kohor se kur përmbyllet procesi i fiskalizimit, në veçanti atij të naftëtarëve dhe bizneseve të tjera. Jemi dakord të fillojmë Ligjin për Lojërat e Fatit ashtu si e kemi marrë propozimin dhe të ndryshojmë Udhëzimin Administrativ për arin e vlerësueshëm, sepse është neni 2 i atij Udhëzimi që bizneset, në fushat e ndryshme përpunuese të arit të kenë disa çështje që iu shkakton problem në biznesin e tyre”, shtoi ministri Avdullah Hoti.
Me këtë rast, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se vetëm gjatë vitit 2016 janë regjistruar 10 mijë e 600 biznese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.
“Në asnjë vend të Bashkimit Evropian nuk është e mundur sepse në shumë vende ndodh që më shumë të ketë biznese që janë shuar nga ato që janë regjistruar si biznese të reja”, ka shtuar Ministrja Bajrami.
Ndërsa, përfaqësuesit e Shoqatave të bizneseve dhe prodhuesve të Kosovës, e vlerësuan lartë gatishmërinë e Ministrisë së Financave për të diskutuar me bizneset me qëllim të krijimit të kushteve më të mira dhe lehtësimit për të bërë biznes.
Ata gjithashtu propozuan rekomandimet e tyre me qëllim të përfshirjes në pakon e dytë fiskale, të cilat priten të shqyrtohen nga zyrtarët e Ministrisë së Financave.