Përveç kriminelëve zjarrvënës, Kryeministri Kurti thotë se në burg e kanë vendin edhe “të korruptuarit”. Këtë e ka shkruar në postimin e tij për djegien e veturës së një zyrtari të ShSKUK-së, ku targeton dy kompani të angazhuara. Njëra është e Milazim Lushtakut. Tjetra që pronar e ka Shpëtim Gashin, i ka fituar të gjithë tenderët gjatë këtij viti.
Kryeministri u mor personalisht me kompanitë që ai thotë se janë përgjegjëse për dështimin e ofrimit të sigurisë, pas djegies së veturës së Musa Vitisë, që është drejtor i Njësitit për Auditim të Brendshëm në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar.
Njëra nga kompanitë është “Security Code”, e angazhuar për sigurim fizik të QKUK-së, ku bashkëpronar është Milazim Lushtaku, nipi i zyrtarit të PDK-së, Sami Lushtaku. Milazim Lushtaku i ka thënë dje Gazetës Express se Kurti e ka përmendur kompaninë e tij “për arsye politike, e jo profesionale”.
Kompaninë tjetër, atë “Quantic”, Kurti e akuzon se “edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthejë në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga ‘vetëtima’”
Nga “Quantic” thonë se kompania e tyre nuk e ka pasur për detyrë mirëmbajtjen e kamerave të sigurisë.
“Ne si kompani “Quantic” jemi fitues të kontratës për mirëmbajtjen e laurave dhe vijueshmërisë në punë , dhe nuk kemi kontratë për mirëmbajtje të kamerave apo vendosje të tyre”, thuhet në reagimin e kompanisë, e cila deklaron së do ta padisë Kryeministrin për “prishje të imazhit”.
Postimin e tij me akuzat për dy kompanitë, Kryeministri Kurti e përfundoi me një fjali ku fliste për “të korruptuar”.
“Të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin“, shkroi Kurti të hënën.
Zyrtari i PDK-së, Sami Lushtaku dhe nipi i tij, besojnë së Kryeministri po merret me ta, për arsye politike.
Kontratat me “Quantic”, udhëheqja e re nuk i ka gjetur në QKUK. Katër prej tyre janë bërë gjatë këtij vitit. E fundit është lidhur para më pak se tre muajsh.
Ndërsa kontrata e ShSKUK-së me “Security Code”, për sigurim fizik të QKUK-së është lidhur më 19 shkurt të vitit 2021 dhe skadon në vitin 2024.
Gazeta Express ka pyetur ish-ushtruesin e detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqin, nëse dihej për afërsinë e kompanisë së kontraktuar me zyrtarin e PDK-së dhe nëse ka pasur më herët vërejtje për punët e saj në QKUK. Krasniqi, i cili ka nënshkruar kontratën, nuk ka dhënë koment rreth kësaj, duke sugjeruar që pyetjet t’i adresohen administratës së ShSKUK-së.