Barcelona e mposhti me vështirësi dhe me vuajtje Celta Vigon mbrëmë duke e rikthyer primatin në La Liga.
Gjiganti katalunas edhe një herë bëri paraqitje të zbehtë dhe ky fakt po e shqetëson trajnerin Xavi Hernandez.
Ai mendon se është koha që ekipi t’i përmirësojë paraqitjet, derisa e bëri një analizë të lojës me Celtan.
“Duhet të përmirësohemi, duhet të jemi shumë autokritikë. Në pjesën e parë luajtëm mirë dhe aty është dashur të mbyllnim gjithçka. Në lojë si kjo, nëse nuk kryen punë kur je duke dominuar, mund të përfundosh në barazim. Pjesa e dytë nuk ishte e mirë, u ndalëm, nuk u shtymë përpara, nuk bëmë presion. Ndoshta për shkak të lodhjes. Ramë psikologjikisht dhe përfunduam me 2-3 raste të mira shënimi nga kundërshtari.”, deklaroi Xavi pas lojës.
“Askush nuk fiton pa sakrifica. Është e rëndësishme të fitosh edhe kur nuk je mirë. Është një fitore e artë, por duhet të jemi ata të gjysmë orës së parë”, vazhdoi trajneri katalunas.
Xavi shton se tash Barça po përgatitet për ndeshjen e rëndësishme e pse jo edhe vendimtare me Interin në Ligën e Kampionëve këtë mesjavë, ndërsa më pas do të mendojë edhe për El Clasicon që e pret me Real Madridin.