Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për vendosjen e sanksioneve të tjera ndaj Rusisë, duke thënë se zyrtarët në Moskë kanë filluar të “përgatisin popullin” për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore në luftë.
“Ata po fillojnë të përgatisin popullin e tyre. Kjo është shumë e rrezikshme. Nuk e dimë nëse do t’i përdorin apo jo armët bërthamore, por mendoj se është e rrezikshme edhe të flasësh për to”, tha Zelensky në një intervistë për BBC.
Presidenti ukrainas tha se duhej veprim tani, pasi kërcënimet e Rusisë ishin një “rrezik për të gjithë planetin”. Moska, pohoi ai, kishte “bërë një hap tashmë” duke pushtuar termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, stacioni më i madh bërthamor në Evropë.
“Bota mund të ndalojë veprimet e pushtuesve rusë. Bota mund të zbatojë paketën e sanksioneve në raste të tilla dhe të bëjë gjithçka për t’i bërë ata të largohen nga termocentrali bërthamor”, tha Zelensky.
Në javët e fundit, ushtria ukrainase ka rimarrë pjesë të mëdha të territorit në një kundërofensivë të suksesshme që ka detyruar trupat ruse të braktisin pozicionet e mbajtura prej kohësh. Në atë që Kievi e përshkruan si përgjigjen e Moskës ndaj disfatës së saj, Presidenti Vladimir Putin ka aneksuar katër rajone pjesërisht të okupuara të Ukrainës.
Aneksimet, të cilësuara gjerësisht si të paligjshme, kanë ngritur frikën për një përshkallëzim të mundshëm në luftën shtatë-mujore.