Krenar Statovci, vëllai i deputetes së Listës Guxo, Jeta Statovci është emëruar të hënën si koordinator i njësisë së kamermanëve në Radio Televizionin Publik të Kosovës. I Kontaktuar nga Gazeta Insajderi, Statovci ka mohuar së është ngritur në pozitë. Statovci kur u kontaktua nga gazeta tha se tash e 15 vite punon si kamerman, por nuk e pranoi se mban pozitën e shefit të kamermanëve. Por, një e-mail i siguruar nga Insajderi e vërteton të kundërtën e deklaratës së tij.
Deputetja Jeta Statovci është zgjedhur së fundmi kryetare e degës së Listës Guxo në Prishtinë. Ndërsa vëllai i saj i cili është pjesë e RTK-së është emëruar shef i kamermanëve në këtë televizion. Krenar Statovci në një përgjigje për Gazetën Insajderi mohoi së e mban këtë pozitë.
“Ende nuk di asgjë për këtë temë, jo nuk jam shef. Jetën Statovci e kam motër. Unë punoj në RTK që 15 vite”, tha Statovci.
Por, një e-mail i brendshëm i siguruar nga Gazeta Insajderi, vërteton të kundërtën. Ku atij edhe i është uruar ngritja në pozitë.
“I nderuari, Krenar Statovci, Fillimisht me lejoni që të ju uroj suksese për pozitën e koordinatorit të Njësisë së Kamerës në teren duke shpresuar në bashkëpunimin tonë maksimal dhe që gjithçka do të shkoj mbarë”, thuhet në e-mailin e siguruar nga Gazeta Insajderi.
Statovci ishte ankuar shpesh herë për për bordin e RTK-së dhe shpenzimet e këtij medium publik.
“Nga analiza në mes të hyrave dhe shpenzimeve, një segment i cili është në rritje të pashpjegueshme është elementi mbi pagat. Pra nga viti 2010 ne 2021, shpenzimet në paga kalojnë nga 4 milion në 9 milion; kurse investime kapitale që do mundësonin instrastrukturë më të avancuar dhe ambient më të përshtatshëm përgjysmohen”, kishte thënë ajo.
Ajo kishte arritur që në zgjedhjet parlamentare të sigurojë 9 mijë e 410 vota në Listën Guxo.
Emri i saj u përmend dje në media pasi doli kundër Qeverisë që të mos ekzekutohet pagat e grevistëve.
“Sa i përket grevës së sindikalistëve, më vjen mirë që më në fund nxënësit i janë kthyer bankave shkollore. Por, nuk mund të pajtohem me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator”, kishte shkruar ajo në një postim në Facebook.