Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka theksuar se vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të sillen në mënyrë naive rreth ndikimit rus në Ballkan.
Sipas Hoxhajt, disa nga pjesëtarët e Misioni të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) po ndjekin agjendë ruse veri të Kosovës.
“Mendoj që lufta në Ukrainë i ka hapur sytë Evropës, por nuk është përcjellë me vendimmarrje në raport me Ballkanin. Bashkimi Evropian edhe më tutje është ka sillet në mënyrë naive se si e sheh rolin, ndikimin Rus në Ballkan dhe përtej rajonit”, tha Hoxhaj për “The Geopost”.
Ai shton se Serbia dhe Rusia kanë një aleancë historike tradicionale në Ballkan kundër faktorit shqiptarë, kroat, boshnjak, malazez dhe ai maqedonas.
“Serbia dhe Rusia kanë një aleancë historike tradicionale në Ballkan kundër faktorit shqiptarë, kroat, boshnjak, malazez, maqedonas dhe këtu serbët dhe rusët nuk dallojnë në 200 vitet e fundit, nuk dallojnë as në 20 vitet e fundit, dhe natyrisht që kësaj aleance historike i është shtuar edhe partneriteti strategjik ruso-serb dhe të gjitha veprimet të cilat janë marrë deri më tash nga politika ruse në raport me Ballkanin kanë qenë të menduara dhe të koordinuara”, theksoi Hoxhaj.
Duke folur për marrëveshjen e fundit ndërmjet Beogradit dhe Moskës, Hoxhaj thotë se kjo është një vazhdimësi e politikës serbe në raport me Ballkanin, me Evropën dhe me Kosovën.
“Marrëveshja është një vazhdimësi e politikës serbe në raport me Ballkanin, në raport me Evropën dhe me Kosovën, meqë Serbia prej 24 majit 2013 ka një partneritet strategjik dhe ata çdo vit nënshkruajnë marrëveshje për konsultime diplomatike me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë dhe janë plane veprimi”, thotë Hoxhaj.
Në këtë intervistë, ish-krydiplomati Hoxhaj ka folur edhe për luftën hibride dhe propagandën serbo-ruse në Ballkan.
Intervista e plotë:
Ditë më parë Beogradi dhe Moska kanë nënshkruar një marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit të politikës së jashtme ndërmjet dy shteteve, çfarë do të thotë kjo për Serbinë, veçanërisht për regjionin?
Enver Hoxhaj: Marrëveshja është një vazhdimësi e politikës serbe në raport me Ballkanin, në raport me Evropën dhe me Kosovën, meqë Serbia prej 24 majit 2013 ka një partneritet strategjik dhe ata çdo vit nënshkruajnë marrëveshje për konsultime diplomatike me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë dhe janë plane veprimi, dhe unë e di që planet e veprimit të cilat i ka nënshkruar më 2017 dhe 2018 kanë pasur efekt direkt dhe negativ në raport me Kosovën, meqë disa prej vendeve të cilat e kanë tërhequr njohjen, e kanë bërë si rezultat i këtij bashkëpunimi.
Unë e kam parë marrëveshjen dhe teksti merrej në thelb me Kosovën dhe është një marrëveshje kundër Kosovës dhe kundër Ukrainës. Dhe kjo ndodhi në një kohë kur Rusia ka një izolim komplet ndërkombëtarë, ka sanksione ndërkombëtare, kur Serbia është gjithashtu e izoluar dhe në pikëpamjen time, nuk është ndonjë befasi se Serbia ka qenë dhe do të vazhdon të jetë zgjatje e Putinit edhe Rusisë si platformë kundër Perëndimit dhe kundër Kosovës.
Mua më shqetëson reagimi i dobët i perëndimorëve, veçanërisht i Bashkimit Evropian dhe mungesa e vullnetit për ta vendosur në tavolinë opsionin ndaj Serbisë, a janë të interesuar që këta të anëtarësohen në Bashkimin Evropian apo janë të interesuar që të jenë zgjatje e Rusisë.
Kam pritur që Bashkimi Evropian do të fillojë dhe do të duhej të fillojë procedura të pezullimit të procesit të anëtarësimit të Serbisë ne Bashkimin Evropian. Vetëm kjo është përgjigja e duhur në një kohë kur luftë po ndodhë në Evropë dhe kur fashizmi rus po e përmbys rendin ndërkombëtarë.
E përmendët reagimin e dobët në Evropë, si e shihni rritjen e ekstremit të djathtë në Evropë dhe ku qëndron Evropa në mes të Rusisë dhe këtij agresioni, a ka Evropa kapacitete t’i kundërvihet më shumë?
Enver Hoxhaj: Unë e kam ndjekur gjatë temën e Rusisë, për shkak të përgatitjes time profesionale por edhe për shkak të faktit që në vitin 2006 dhe 2007 kam qenë pjesë e negociatave në Vjenë në kuadër të procesit të Ahtisarit dhe në atë kohë unë e kam parë që qëndrimi Rus në raport me Evropën dhe me Kosovën nuk është ndonjë keqkuptim, është një qëndrim i strukturuar. Por mandej e kam përjetuar si ministër i Jashtëm i Kosovës që në fakt evropianët e kanë pasur vlerësimin e gabuar për atë se çka është Rusia, çfarë dëshiron në raport me Evropën, sa ndërhynë në Ballkan dhe se si Rusia po përgatitet të jetë një kundërshtarë strategjik i Perëndimit.
Jam i bindur që lufta në Ukrainë ja ka hapë sytë Evropës dhe Perëndimit në raport me se çka është Rusia sot, por janë shumë i zhgënjyer me mungesë të vendimmarrjes e cila është në Bruksel në raport me Ballkanin. Kjo vlen edhe për mungesë të vendimeve në kuadër të NATO-s.
Unë kam menduar që lufta në Ukrainë do ta hapë perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO, do të hapë perspektivën e anëtarësimit të Bosnjës e Hercegovinën në NATO meqë problemet të cilat janë në Ballkan nuk janë vetëm pasojë e luftës në Ukrainë, por janë tema të paqes së pa-përmbyllur dhe në këto mund të rikthehet konflikti nëse nuk ka një strukturë, ombrellë të sigurisë. Dhe në këtë drejtim unë mendoj që lufta në Ukrainë i ka hapur sytë Evropës, por nuk është përcjellë me vendimmarrje në raport me Ballkanin.
Bashkimi Evropian edhe më tutje është ka sillet në mënyrë naive se si e sheh rolin, ndikimin Rus në Ballkan dhe përtej rajonit.
Ndikimi rus në Ballkan karakterizohet më së shumti duke shfrytëzuar Serbinë që të bëjë implikimet në shtetet si Mal të Zi, Bosnje dhe konkretisht në Kosovë kemi rastin e fundit në veri të vendit ku janë ngritur disa barrikada, si e shihni këtë dhe çfarë është rreziku për Kosovën dhe rajonin?
Enver Hoxhaj: Mendoj se Serbia dhe Rusia kanë një aleancë historike tradicionale në Ballkan kundër faktorit shqiptarë, kroat, boshnjak, malazez, maqedonas dhe këtu serbët dhe rusët nuk dallojnë në 200 vitet e fundit, nuk dallojnë as në 20 vitet e fundit, dhe natyrisht që kësaj alance historike i është shtuar edhe partneriteti strategjik ruso-serb dhe të gjitha veprimet të cilat janë marrë deri më tash nga politika ruse në raport me Ballkanin kanë qenë të menduara dhe të koordinuara, qoftë investimet në ekonomi në Serbi, qoftë bashkëpunimi me parti të ndryshme politike, qoftë varësia prej gazit, qoftë ndërtimi i qendrës së inteligjencës në Nish, por qoftë edhe financimi i disa pjesëtareve të strukturave paralele në veri të vendit të cilët në veprim i shërbejnë jo vetëm Serbisë por edhe Rusisë dhe të cilët në propagandë, nuk e bën vetëm propagandën serbe, por e bën edhe atë ruse.
Dëshmia më e mirë është përpjekja për puq ndaj presidentit Milo Gjukanoviq kur dihet që disa pjesëtarë të serbëve në veri të Kosovës kanë qenë pjesë e këtij aksioni të mirëkoordinuar për ta vrarë presidentin Gjukanoviq dhe për ta bllokuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Dhe u pa edhe në situatën e fundit të tensionuar në veri të Kosovës në korrik, kur të gjitha thashethemet, të gjithë propagandën gojore, perceptimin që mund të ketë “gjoja” një sulm nga Prishtina, nga Kosova në veri, ishin propagandë të cilën ne e kemi pa kudo në Evropën Lindore, në Krimea, në Donbas, në Abkhazi, në Osetia, në Afrikë e promovuar nga grupi Wagner. Kështu që janë korniza të njëjta, janë struktura të njëjta dhe janë njerëz të njejtë të cilët ushtrojnë ndikim faktik apo ndikim në kuptimin e botëkuptimit në veri të vendit.
Si ministër i Jashtëm i Kosovës, ku keni pasur ballafaqimin më të madh me Rusinë, në OKB apo në organizata të tjera?
Enver Hoxhaj: Rusia e ka përdorur çdo herë organizatat ndërkombëtare për ta luftuar Kosovën, që në thelb ka qenë luftë kundër Perëndimit, Kosova është përdorur vetëm si temë për ta përçarë Perëndimin në raport me Kosovën por në raport edhe me temat dhe këtë e kanë bërë natyrisht edhe në Këshill të Sigurimit të OKB-së ku shpeshherë qëndrimi rus që është thënë aty, jo vetëm që është thënë në Këshill të Sigurimit të OKB-së dhe iu është përcjellë shteteve anëtare të OKB-së, por mesazhet e tilla, diskurs të tillë, botëkuptime të tilla ne i kemi parë mandej kudo në shtetet anembanë globit, në shtetet më të vogla të mundshme në Azi, në Afrikë apo në Amerikën Latine.
Kanë mundur ta marrin pikëpamjen e njëjtë për Kosovën, atë se çfarë ka thënë Lavrovi, Vitali Churkin apo të tjerët në OKB. Përveç OKB-së e kanë përdorur edhe OSBE-në për ta goditur Kosovën dhe OSBE-ja shpeshherë në Ballkan, mjerisht u ka shërbyer interesave ruse, pjesëtarë të të cilëve kanë qenë pranë kësaj organizate.
UNMIK-u në Kosovë, kanë pasë pjesëtarë të cilët e kanë ndjekë agjendën ruse në veri të vendit apo në Prishtinë sikurse që kanë përdorur Këshillin e Evropës. Dhe vetëm mocioni për rezolutë në asamble të përgjithshme të Këshillit të Evropës, në Asamblenë Parlamentare të KE-së për të nisur një raport për të konstatuar pretendimet e Dik Martit, është prej Konstantin Kosachev i cili ka qenë deputeti Dumës ruse dhe i cili përveç të qenit deputet, sikurse po del tash, por ne e kemi ditur në atë kohë, ka qenë edhe një njeri i shërbimit rus GRU.
Prandaj, edhe organizatat janë përdorë, por shqetësimin që unë e kam është që këto organizata po përdoren edhe sot e kësaj dite, prandaj edhe jam ithtar i asaj që OKB-ja do duhej ta përjashtonte Rusinë nga Këshilli i Sigurimit, sepse është Rusia ajo që ka shkelë kartën e OKB-së duke shkelë me tanke sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, do duhej të përjashtohej nga OSBE-ja.
Nuk e them këtë për ta ngritë lartë flamurin e triumfit dhe flamurin e një gjuhe radikale, por unë mendoj se kjo se çfarë po ndodhë pas shkurtit të 2022 është fazë e re e konfrontimit dhe Perëndimi gabon nëse mendon që Putini ka heqë dorë prej ambicieve të tij për të krijuar një perandori Ruse me çdo çmim me çdo formë do t’i përdorë të gjitha instrumentet, në Evropën Lindore pushtimin klasik, në Ballkan luftën hibride dhe shpeshherë organizatat janë platformat më të mira për ta ushtruar luftën hibride, prandaj jam edhe i mendimit që Rusia duhet të izolohet ndërkombëtarisht dhe të përjashtohet prej disa organizatave.
Çfarë mesazhi keni për shtetet e Ballkanit, çfarë sugjeroni për t’iu kundërvënë propagandës, ndikimit dhe luftës hibride që po ndodh në Ballkan?
Enver Hoxhaj: Mendoj që shtetet e Ballkanit, duhet të kenë koordinim të plotë të madh dhe të mirëfilltë me partnerët tanë amerikan, sepse janë vetëm amerikanët të cilët kanë institucione, kanë resurse, kanë lexim global të asaj se çfarë po ndodhë në botë, dhe shohin mandej këtë mozaikun e Ballkanit si pjesë të kësaj loje botërore, se si ne të sillemi në raport me Rusinë.
Unë mendoj që këtu ka nevojë edhe qeveria e Republikës së Kosovës të ketë koordinim ditor të shpeshtë për çdo gjë, sepse edhe ne kur po bisedojmë, sigurisht tash ndodhë ndonjë veprim hibrid diku në Ballkan apo edhe në Kosovë.
Së dyti, është përpjekje e Rusisë për të fragmentuar Ballkanin, për ta ndarë në shtete të cilat janë pro-perëndimore sikurse Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe në shtete të cilat do të duhej të ishin pro-Rusisë sikurse është Serbia, Bosnja dhe Mali I Zi, Bosnja pjesërisht, Mali I Zi po ashtu pjesërisht. Dhe unë mendoj që elita politike nuk guxon të lejoj të ndodhë një ndarje e brendshme e Ballkanit.
Dhe së treti, duhet të ketë qartësi të plotë që procesi I zgjerimit në Bashkimin Evropian të jetë një projekt konkret.
Nuk mendoj që Bashkimi Evropian ka rol në Afrikë, ka rol në Azi, ka rol në Amerikën Latine, nëse nuk është në gjendje oborrin e saj të brendshëm ta integron në Bashkim Evropian, dhe është dëshpëruese qasja e Parisit dhe qasjet e të tjerëve duke shpikë dhe rishpikë tema të komunitetit politik Evropian sikurse të ishte koha e seminareve, në një kohë kur po ndodhë luftë. Dhe unë mendoj që për Kosovën, jetike është që partnerët tanë amerikanë dhe evropian ta ndihmojnë që ne të anëtarësohemi në NATO.
Vetëm NATO-ja është parametër për paqe të përhershme në Kosovë, mungesa e anëtarësimit të Kosovës në NATO është premisë për rikthim të tensioneve dhe për rikthim të konfliktit.
Ndërsa i takon Serbisë të vendosë a do të hyjë në NATO apo do të mbetet në rrafshin ushtarak dhe politik neutral. Por, mënyrë për ta ndalë politikën e imperializmit rus në Ballkan, është anëtarësimi i Kosovës dhe i Bosnjës në NATO, dhe kjo do t’i vinte fre edhe tendencave hegjemoniste të Serbisë të cilat janë rikthyer kohëve të fundit në Ballkan./Prishtinapress/