Është nënshkruar marrëveshja për hua për financimin e Projektit të Trajtimit të Ujërave të Zeza, për komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Obiliqit.
Kjo marrëveshje është arritur në mes Ministrisë së Financave dhe NATIXIS, që vepron në kuadër të qeverisë së Francës.
Me këtë rast, ministri i Financave Abdullah Hoti, tha se është një marrëveshje që ka vlerë prej 66 milionë euro, me kushte shumë të mira. me një grejs periudhë prej 5 viteve dhe me normë interesi prej 0.36%.
Ai tha se me anë të kësaj marrëveshje do të trajtohen ujërat e zeza në këto komuna, të cilave sipas tij, do të iu mundësohet një mirëqenie më e mirë për qytetarët si dhe ndihmon edhe në pastërti të mjedisit.
Ambasadori i Francës në Kosovë Didier Chabert, tha se është një moment i rëndësishëm edhe për marrëdhëniet e vendeve tona.
Ai tha se bëhet fjalë për një projekt ambicioz dhe mbulon një zonë që ka disa komuna , si dhe është në shërbim të njerëzve.
Ai potencoi se Franca është një vend mik i Kosovës.