0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Hoti kritikon Kurtin: Nuk e vazhdoi trendin e rritjes ekonomike që e lamë ne

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka akuzuar pasrendësin e tij, Albin Kurti, se nuk e ka vazhduar “trendin e rritjes ekonomike”.

Në një shkrim në Facebook, Hoti është lavdëruar për rritjen ekonomike në periudhën sa ai ishte kryeministër, nga qershori 2020 deri në mars të 2021-s, kur ia lëshoi ulësen Kurtit.

Megjithatë, sipas tij, Qeveria aktuale e ka marrë ekonominë me bazë të mirë për të vazhduar tutje me rritje. Por ai ka thënë se me Qeverinë Kurti trendi i rritjes ekonomike është në rënie. Hoti ka fajësuar për këtë faktorë të jashtëm, por “edhe mungesën e veprimeve domethënëse në politika ekonomike e fiskale”.

“Në qeverinë e udhëhequr nga unë, kemi punuar shumë për të nxjerrë ekonominë nga kriza për shkak të pandemisë. E kthyem trendin pozitiv që në muajt e parë të vitit 2021. E dorëzuam mandatin me rritje pozitive ekonomike, me baza të mira për të vazhduar më tutje. Që nga atëherë, trendi i rritjes ekonomike është në rënie. Sigurisht shkaktarë janë edhe faktorët e jashtëm, por në politika ekonomike dhe fiskale nuk është ndërmarrë asnjë veprim domethënës. Qeveria është mbyllur plotësisht ndaj bizneseve. Nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik për të diskutuar shqetësimet e bizneseve dhe për të zhvilluar politikat e reja ekonomike”, ka thënë Hoti në shkrimin në Facebook.

Ai ka publikuar edhe një grafikon të rritjes së Bruto Prodhimit Vendor në periudha tremujore që nga tremujori i parë i vitit 2021 deri në tremujorin e dytë sivjet. Sipas grafikonit, trendi i rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2021 ishte 16.32 për qind, duke pasur trend rënës në 2.14 në tremujorin e dytë të vitit 2022./Prishtinapress/

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img