3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

KFOR thotë se FSK nuk ka kërkuar të shkojë në Veri, a gënjyen Rakiq e Petkoviq?

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka demantuar pretendimet e Listës Serbe se kinse pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë vendosur në veri të Republikës së Kosovës. Mehaj i ka quajtur lajme të rreme dhe dezinformata të rrezikshme. Derisa KFOR-i ka bërë të ditur se bazuar në marrëveshjet ekzistuese FSK duhet të marrë miratimin paraprak nga KFOR-i për t’u vendosur në veri dhe se së fundi s’ka pranuar ndonjë kërkesë të tillë.

“Lista Serbe”, parti që drejtohet nga Goran Rakiq e që dirigjohet nga Beogradi dje ka pretenduar se pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po qëndrojnë në veri të territorit të Republikës së Kosovës. Megjithatë një informacion të tillë për të cilin kanë raportuar edhe mediat serbe e ka mohuar ministri Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një reagimi zyrtar.

“Ministria e Mbrojtjes përgënjeshtron lajmet e rrejshme që kanë qarkulluar në disa media serbe për gjoja lëvizjen e trupave të FSK-së në zonën e komunës së Zubin Potokut”, thuhet në reagimin e ministrit.

Mehaj raportime të tilla i ka cilësuar si lajme të rrejshme dhe dezinformata të rrezikshme që kanë për qëllim krijimin e tensioneve në vend.

Në reagim gjithashtu kanë theksuar se FSK bashkë me KFOR-in mbulon çdo cep të territorit të Kosovës.

“Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, të gjitha aktivitetet stërvitore dhe operacionale, i realizojmë në bashkëpunim dhe bashkërendim me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare, respektivisht KFOR-in në përputhje me mandatet tona kushtetuese dhe ligjore”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ministrit Mehaj.

Rakiq me pohimet e tij i ka dhënë shkas shefit Petar Petkoviqi të Zyrës për Kosovë dje në një reagim në Twitter që të deklarojë se “Prishtina e ka çuar FSK’në në Veri”.

Por, lidhur me pretendimet e “Listës Serbe” dhe raportimeve në mediat serb, për Gazetën Express kanë folur edhe nga KFOR-i.

Nga KFOR-i kanë theksuar se bazuar në marrëveshjet ekzistuese, shkuarja e FSK-së në veri të Kosovës kërkon aprovimin paraprak të KFOR-it. Bazuar në këtë, nga KFOR-i kanë thënë se s’kanë pranuar ndonjë kërkesë nga FSK-ja lidhur me një çështje të tillë.

“Sipas marrëveshjeve ekzistuese, vendosja e FSK-së në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të KFOR-it. KFOR-i nuk ka pranuar asnjë kërkesë së fundi nga FSK-ja në lidhje me këtë. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së (bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999) për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës. KFOR-i mbetet vigjilent në terren dhe komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e Organizatave të Sigurisë së Kosovës dhe Shefin e Mbrojtjes së Serbisë”, ka thënë një zyrtar i KFOR-it./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img