2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Qeveria fton sërish opozitën t’i bashkëngjitet komisionit për demarkacion

Adresimi i çështjes së shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ka rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën, për qytetarët e saj, si dhe për forcimin e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Kështu ka thënë Qeveria e Kosovës, e cila, përmes një komunikate për media, thotë se ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, të nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve, do t’i hapte udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së, do të fuqizonte shtetësinë e Kosovës, duke qenë se me këtë akt, Kosova do të kishte edhe një kufi ndërkombëtar, do të fuqizohej partneriteti me Malin e Zi, por edhe me NATO-n dhe më gjerë.

Duke pas në konsideratë debatin publik si dhe ndjeshmërinë e këtij procesi, Qeveria thotë se institucionet e Kosovës kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme që në opinion të trajtohen të gjitha dilemat dhe materialet adekuate rreth këtij procesi.

“Pikërisht në këtë funksion, Qeveria e Kosovës së fundi ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, i cili ka për mision që të bëjë matjen e territorit të Kosovës para datës 25 gusht të vitit 2015, dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi”, thuhet në këtë komunikatë, ndërsa përmenden edhe të ftuarit e këtij komisioni janë:

– Akademia e Shkencës dhe e Arteve e Kosovës;
– Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore;
– Lëvizja Vetëvendosje;
– Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës;
– Nisma për Kosovën;
– Dy ekspertë nga Organizatat e Shoqërisë Civile;
– Agjencioni i Kadastrit;
– Agjencioni i Ujërave;
– Agjencioni i Pyjeve;
– KOSTT-i;
– Agjencia Kosovare e Privatizimit;
– Policia e Kosovës;
– Agjencioni i Statistikave të Kosovës;
– Komuna e Pejës;
– Komuna e Deçanit;
– Komuna e Istogut;
– Komuna e Junikut;
– Dy përfaqësues nga zona e Rugovës së Komunës së Pejës.

Ndërkaq, në cilësinë e anëtarëve vëzhgues janë ftuar përfaqësues nga:

– Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë;
– Bashkimi Evropian;
– KFOR-i.

“Pjesëmarrjen në punën e Komisionit e kanë konfirmuar të gjithë anëtarët, përveç tri subjekteve opozitare. Dërgimin e anëtarëve për vëzhgimin e punës së komisionit e kanë konfirmuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian si dhe KFOR-i”, ka thënë më tej Qeveria.

Ndërkaq, sipas po të njëjtit njoftim, thuhet se takimi Konstituiv i Komisionit do të mbahet më datë 24 janar 2017.

“Duke pas parasysh interesat vitale të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj si dhe duke ditur zhvillimet e fundit dhe domosdoshmërinë për unifikim rreth kauzave shtetërore, Qeveria e Republikës së Kosovës fton përfaqësuesit e tri subjekteve politike, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën, që të dërgojnë ekspertët e tyre në komision, kontributi i të cilëve do të ishte tejet i çmuar në këtë proces shtetëror”, përfundon komunikata e Qeverisë së Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img