-5.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Hasani: Serbia po e mbanë të tensionuar situatën në Kosovës për shkak të Gjykatës Speciale

“Serbia dëshiron që ta ruaj gjendjen e tensionuar në Kosovë me shpresën që kur të fillojë punën Gjykata Speciale, situata të dalë jashtë kontrolli, siç kishte ndodhur në vitin 2004”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Ai mendon se veriu i Kosovës dallon shumë nga rasti i Krimesë, ndërkaq nuk e përjashton mundësinë që si pasojë e tensioneve, një ditë Moska dhe Uashingtoni ta trajtojnë zgjidhjen e çështjes së veriut si problem të veçantë.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, po interpretohen si përpjekje e Serbisë për zbatimin e skenarit rus, të ngjashëm me rastin e Krimesë. Sa shihni ju ngjashmëri në këto dy raste?

Enver Hasani: Mendoj që skenari si i Krimesë, në rastin e Kosovës është shumë vështirë i zbatueshëm, për shumë arsye. Në Krime, siç dihet, ka pasur një flotë ruse, që ka qenë dhe është shekullore. Është një interes strategjik që rusët e kanë planifikuar që pas luftës së ftohtë si afërsi imediate e kufijve rus, ku hyjnë Ukraina, Gjeorgjia dhe të gjitha ato vende të cilat i kanë animuar konfliktet për të penguar ndikimin perëndimor në një afërsi imediate të Rusisë. Krimea është pjesë e saj dhe ka qenë dhe vazhdon të jetë një vend strategjik për sigurinë ruse.

Në rastin e Kosovës, një skenar i tillë është vështirë i realizueshëm për shkak se ai në rend të parë do ta vinte Serbinë në një pozitë jashtëzakonisht të palakmueshme, apo të një ‘mashe’ siç thuhet, në raportet e Evropës dhe botës perëndimore dhe që do të çonte në rend të parë në largimin e investimeve dhe në izolimin e Serbisë, marrë parasysh rrugën të cilën Serbia e synon me çdo kusht, pra rrugën e integrimit euro-atlantik.

Mirëpo, nëse merret parasysh tranzicioni që unë do ta quaja gjeo-strategjik si pasojë e zgjedhjeve në Shtete e Bashkuara të Amerikës ku shihet qartë ndryshimi i politikës së jashtme amerikane kundrejt Evropës dhe strukturave të sigurisë euro-atlantike. Pra, në këso rrethana nuk përjashtohet mundësia që Serbia, në një nivel tjetër, do të thotë përmes riaktivizimit të forcave paramilitare të ish-policisë së Serbisë, të krijojë struktura paralele në mënyrë që bisedimet në nivelin më të lartë ose diskutimet ruso-amerikane dhe aleatëve perëndimor, Kosova të jetë në defansivë si pasojë e veprimeve të tilla serbe.

Sa shihni këtu rritjen e ndikimit rus në vendimmarrjet në Serbi karshi Kosovës dhe pjesës veriore të saj?

Këtu, sigurisht që ka ndikim rus dhe kalkulimet e Serbisë bëhen gjithmonë mbi shpresat e saj se Rusia mund të jetë e fuqizuar tash në dritën e ndryshimeve të reja përgjithësisht në planin global.

Kjo është parë në planin e Alepos dhe në radikalizmin e konfliktit dhe tragjedisë siriane. Dhe, tash Kosova, përkatësisht këto sjellje të Serbisë, janë hap në vijim të atyre kalkulimeve që po i bëjnë serbët. Por, po shihet qartë që serbët këtë e bëjnë me dy mendje, sepse e dinë që një ofensivë e tillë në mënyrë të hapur, siç e bënë dhe po duan ta bëjnë këtë ditë, mundet t’u sjell probleme serioze Serbisë sa i përket integrimit në BE dhe në strukturat euro-atlantike.

Si e shihni sjelljen e lidershipit të Kosovës në raport me zhvillimet e fundit në veri marrë parasysh atë që u tha edhe nga presidenti Hashim Thaçi se Serbia ka pretendime të hapura ndaj veriut të Kosovës?

Serbia ka pretendime jo vetëm ndaj pjesës veriore të Kosovës, por në përgjithësi. Por, në veri e ka më lehtë, sepse e ka një shumicë të koncentruar serbe.

Problemi është, ashtu si e shoh unë, që Serbia si qëllim imediat me trenin apo lëvizjet e fundit, ka si synim mbajtjen gjallë të diskursit apo situatës së tensionuar me një retorikë të theksuar nacionaliste në Kosovë, për shkak të hapave që priten të ndërmerren nga ana e Gjykatës Speciale.

Andaj, Serbia dëshiron që ta ruaj këtë situatë me tensione me shpresën që kur të fillojë veprimi i Gjykatës Speciale, situata në Kosovë do të dalë jashtë kontrolli, siç kishte dalë në vitin 2004, gjë që do të ishte një katastrofë e madhe për Kosovën dhe konsolidimin e shtetësisë së saj në planin ndërkombëtar nëse do të përsëritej një skenar i tillë.

Unë besoj që ky është skenari imediat dhe kalkulimi i Serbisë, ndërkohë që në një afat më të gjatë ajo llogaritë që çështja e veriut të Kosovës të jetë pjesë e dialogut global, amerikano-rus që pritet të zhvillohet në të ardhmen dhe dinamikave tjera të sigurisë euro-atlantike.

Se sa do ta arrijë këtë qëllim Serbia, unë besoj që nuk duhet neglizhuar këtë rrethanë dhe Kosova duhet të sillet jo me retorikë boshe, agresive, por të bëhet kalkulimi se sa mundet Kosova të projektojë forcë afatgjatë për ruajtjen e sovranitetit. Nëse ky kalkulim nuk bëhet, atëherë del veprimi me ROSU (Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës) një herë, dy apo tri herë, por dikur del se Kosova nuk po tregohet serioze dhe e aftë për ta ruajtur integritetin territorial.

Tek e fundit, duhet të dihet që konsolidimi i shtetësisë së Kosovës dhe integritetit territorial vetëm me masa represive, është problem.

Prandaj, duhet të dihet se deri në ç’masë mund të neutralizohet si rrezik i sigurisë ndërhyrja serbe në veri dhe sa është pjesë tjetër e procesit politik (dialogut) që domosdo duhet të vazhdoj në një format tjetër, pasi që ky format (i dialogut) po shihet qartë se është komprometuar.

Në moment që po shihet qartë se ka ndryshim të kursit të politikës së jashtme amerikane sa u përket çështjeve të sigurisë globale, me fokus të veçantë Evropën, atëherë edhe pozita e Evropës edhe e Kosovës në dialog karshi Serbisë dobësohet dhe është dobësuar.

Me fjalë tjera, besoni që zhvillimet në veri dhe ato që do të pasojnë fillimin e punës së Gjykatës Speciale, sikur po ndikojnë dhe e bëjnë të paqartë vet tërësinë, hapësirën territoriale të Kosovës?

E bëjnë, sepse këtu nuk duhet të shikohet çështja e pjesës veriore si diçka që duhet të mbrohet vetëm nga një garniturë e caktuar e politikanëve. Ajo është interes shtetëror dhe nuk është interes partiak e politik.

Nga ky nuk mund të përfitojnë, vetëm mund të krijojnë një kaos të ngjashëm me vitin 2004, nëse kalkulimet nuk bëhen mbi bazat shtetërore dhe unë me sa po shoh dhe po kuptoj më shumë ka kalkulime për interesa për dinamika të brendshme politike, sesa të një plani afatgjatë për ri-intgrim të veriut në Kosovë.

Kjo është rrethana në të cilën Serbia po kalkulon. Duke e ditur saktë se Gjykata Speciale duhet të veproj dhe me këto veprime, Serbia po i fryn zjarrit me shpresën që strukturat qendrore të Kosovës do të tregohen të paafta për ta menaxhuar situatën në rast të fillimit të punës së Gjykatës Speciale.

Një paaftësi e tillë, më pastaj, do të shfrytëzohej nga Serbia që t’u thotë aleatëve perëndimor dhe botës se nuk është çështje vetëm veriu, por e komplet dobësia e strukturave të shtetit të Kosovës të cilat janë të paafta të tregohen gardian të integritetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës.

Sipas kësaj që thoni, gjeopolitika do të kthej sërish një lloj përplasje të interesave ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, perëndimit në Kosovë dhe rajon?

Fuqishëm jam i bindur që çështja e Kosovës, funksionimi i institucioneve të Kosovës, konsolidimi i shtetësisë, puna e Gjykatës Speciale, veriu, janë tema të cilat domosdo do të jenë në agjendën globale amerikano – ruse, por shumë më poshtë sesa që mendojmë ne.

Mendoj se këtë duhet ta kemi parasysh, pra shumë më poshtë sesa që e mendojmë ne. Mendoj kështu sepse problemi i sigurisë në Lindjen e Mesme është problemi parësor i sigurisë euro-atlantike. Atje rrezikohet siguria euro-atlantike nga interesat imediate ruse. Do të thotë është problemi i Sirisë, i Iranit, i Irakut dhe e shihni edhe Turqinë me politikën tërësisht të gabuar të Erdoganit i cili deri në marrëzi është i orientuar kah Rusia që do të provohet në të ardhmen se është fatale për shtetin turk.

Kurse Kosova, bën pjesë në ato probleme tjera të sigurisë evropiane, ku në çdo kombinim, Evropa mbetet partnere e SHBA-së sa i përket çështjes së sigurisë. Evropa e ka fare të qartë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të ketë Evropë stabile.

Por, edhe Serbia e ka problem, sepse është e izoluar. Asnjë vend, në rajon, nuk është me orientim pro-rus, përveç segmenteve të caktuara të shoqërisë serbe përfshirë edhe establishmentin aktual atje. I gjithë Ballkani dhe i gjithë orientimi evropian është anti-rus. Kështu që Serbia e ka problem ta heq maskën, sepse nuk do të mund të shërbente si lokomotivë për ta shtyrë rajonin kah Rusia.

Megjithatë, roli i Serbisë dhe i Rusisë në këtë pjesë do të jetë një rol me të cilin duhet të llogarisë të përballet perëndimi, përkatësisht SHBA-të dhe Evropa. Prandaj Kosova në këtë drejtim ka pozitë shumë më të dobësuar, sesa që kishte para 10 -15 viteve, sepse ka ndërruar balanci, raporti global i forcave, në rend të parë rreth Lindjes së Mesme, sepse për shembull, pa Rusinë s’mund të arrihet zgjidhja e problemit të Sirisë, sikurse edhe në vende tjera në atë pjesë.

Ato janë probleme me peshë për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, krahasuar me Kosovën. Andaj, Kosova duhet ta ketë parasysh këtë, e sidomos duhet ta kenë parasysh ata që mendojnë se vetëm me forca represive të integrohet veriu. Mendoj se e kanë tërësisht gabim. /REL/.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img