-4.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Presidentja preferon bashkëpunëtorin e gjyqtares serbe në krye të Prokurorisë, heziton dekretimin e ushtarit të UÇK-së

Dosja e Blerim Isufajt po vazhdon të qëndrojë në tavolinën e presidentes Vjosa Osmani.

Pavarësisht se kanë kaluar pesë muaj prej kur Këshilli Prokurorial e kishte votuar unanimisht Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, presidentja ende nuk ka vendosur për dekretimin e tij.

Ajo po vazhdon ta zvarrisë procesin deri në fund, kur kanë mbetur më pak se një muaj deri në përfundimin e afatit të përcaktuar me ligj mbi vendimin për dekretimin e Kryeprokurorit të ri.

Aktualisht, ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit është Besim Kelmendi, një jurist i cili pak para luftës kishte shërbyer si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Siç kishte raportuar Paparaci në qershor të këtij viti, Kelmendi kishte shërbyer si bashkëpunëtor i gjyqtares serbe, Danica Marinkoviq

Kelmendi e kishte mohuar lidhjen me Marinkoviqin. Kishte thënë se nuk ka qenë asnjëherë bashkëpunëtor i gjyqtares famëkeqe serbe. Kishte thënë se në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ka punuar vetëm në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional.

Danica Marinkoviq ka qenë gjyqtare hetuese në rastin e Masakrës së Reçakut. Pjesë e grupit hetues për këtë masakër ishte edhe zëvendësi i asokohe Prokurorit Publik Komunal të Prishtinës, Ismet Shufta, dëshmon një shënim zyrtar i kohës, të cilin e posedon Paparaci. Shufta, tash ushtron funksionin e avokatit në Kosovë.

Nga presidenca nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e Paparacit lidhur me përgjegjësitë e presidentes në dekretimin e Isufajt. Zyra e shefes së shtetit ka refuzuar të komentojë arsyet e vonesave në çështjen e dekretimit të Kryeprokurorit.

Me mos ndërmarrjen e veprimeve për Kryeprokurorin e ri, shefja e shtetit po e favorizon Kelmendin, i cili tash e katër muaj po ushtron pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit në cilësinë e Ushtruesit të Detyrës.

Ndërkaq, Osmani vazhdon të hezitojë të dekretojë Blerim Isufajn, një ish-ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nominimi i Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit nga Këshilli Prokurorial në muajin prill të këtij viti, kishte ngjallur reagime të ambasadave të huaja dhe shoqërisë civile në Prishtinë.

Pavarësisht kësaj, disa muaj më parë, presidentja Osmani kishte njoftuar se është në trajtim e sipër të propozimit për dekretimin e Isufajt.

Ajo kishte thënë se do të kërkojë dokumentacione shtesë para vendimit.

“Ka edhe dokumentacion shtesë të cilin do e kërkojmë sa i përket këtij propozimi, por në të njëjtën kohë do t’i dëgjoj të gjitha palët përfshi shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë të cilët tashmë kanë shprehur qartë vërejtjet e tyre, të gjitha këto do të merren parasysh, dhe pastaj do të marr vendim përfundimtar”, kishte deklaruar ajo gjatë muajit prill.

Në garën për Kryeprokuror të Shtetit Blerim Isufaj ishte renditur si më të suksesshmin me 98 pikë.

Ndërsa, sipas rezultatit të intervistimit renditja e katër kandidatëve të tjerë sipas pikëve ishte: Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Blerim Isufaj në postin e Kryeprokurorit të Shtetit do ta zëvendësojë Aleksandër Lumezin.

Konkursi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ishte shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 12 janar 2022 Kurse, mandati i Aleksandër Lumezit në krye të këtij institucioni kishte përfunduar më 21 prill.

Kurse, më 22 prill si ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit ishte emëruar Besim Kelmendi./Paparaci/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img