Gjendje më e rënduar pas vërshimeve që kanë përfshirë pothuajse gjithë Kosovën është në qytetin e Gjakovës. Nga pamjet që vijnë nga atje, shihen rrugë të tëra të vërshuara e të mbuluara nga uji.
Gjithashtu shumë banorë janë detyruar që të dalin nga shtëpitë e tyre të cilat janë rrezikuar si rezultat i vërshimeve.
Në pamjet e publikuara “Syri Vizion” shihet që në rrugën “Shotë Galica” kanë ndërhyrë edhe zjarrfikësit me një barkë shpëtimi.
Aty shihet që është evakuuar një familje, pjesë e së cilës është edhe një foshnje.
Zjarrfikësve u janë vënë në ndihmë edhe banorët e asaj lagjeje.
Ndërkohë uji ka përfshirë edhe objektin e spitalit të qytetit. Sipas pamjeve të publikuara shihet që një pjesë e objektit të spitalit është përmbytur nga uji.
Situata e rënduar është edhe në qytetin e Rahovecit ku shumë fshatra janë vërshuar dhe uji ka arritur në nivele të frikshme.