4.8 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

S’ka datë për takimin e radhës Kurti-Vuçiq

Ende nuk ka datë të konfirmuar për takimin e radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, megjithëse në takimin e muajit gusht ka pasur pajtueshmëri për takime të rregullta të nivelit të lartë në baza mujore.

Nga Qeveria e Kosovës janë të gatshëm për takime të tilla, siç thonë për t’i shërbyer marrëveshjes finale me njohje reciproke në qendër. Ndërsa në Bashkimin Evropian nuk tregojnë nëse vizita e Lajçak gjatë të enjtes në Kosovë, ka qenë për të përgatitur takimin e nivelit të lartë.

Në anën tjetër, në partinë më të madhe opozitare PDK, thonë se takimet e shpeshta nuk do të thonë asgjë, nëse nuk ka rezultate konkrete. E rezultate konkrete, sidomos në çështjen e targave presin shoqëria civile.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për KP, se aktualisht nuk ka një datë të konfirmuar për takim gjatë muajit shtator.

“Nga takimi i datës 18 gusht, ka pasur një pajtueshmëri që të ketë takime të rregullta të nivelit të lartë politik në baza mujore. Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë dhe interesimin për takime të tilla që i shërbejnë arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Aktualisht ende nuk ka një datë të konfirmuar për takimin e radhës” thotë Kryeziu në një përgjigje me shkrim.

Datë për takimin Kurti-Vuçiq nuk dha as zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Në një përgjigje me shkrim për Kp, Stano thotë se vizita në Kosovë e emisarit special të BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qenë në kuadër të çuarjes përpara të procesit të dialogut.

“Këto vizita pune, njësoj si ajo e së enjtes në Kosovë, po zhvillohen në kuadër të çuarjes përpara të procesit të Dialogut dhe vazhdimit të diskutimeve për normalizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve, dhe mbi çështjet aktuale që lidhen me dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Si gjithmonë, ne do të njoftojmë për çdo takim të ardhshëm të Dialogut, nëse dhe kur të është e nevojshme”, shton ai.

Pavarësisht mundësive për takime të përmuajshme të nivelit të lartë, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se dialogu nuk duhet të kufizohet vetëm në takime, nëse ato nuk prodhojnë asgjë.

Ajo kërkon rezultate konkrete, e jo siç thotë rinegocim dhe rinoterizim të marrëveshjeve të arritura më parë.

“Ne duhet të moskufizohemi në takime, pasi ato në vetvete nuk do të thonë asgjë. Procesi është i rëndësishëm, por më i rëndësishëm se procesi janë rezultatet. Ne duam dhe kërkojmë të shohim rezultate konkrete nga këto takime, jo rinegocim, ripajtim dhe rinoterizim të marrëveshjeve të arritura tani e një dekadë më parë”, thekson Çitaku.

Mirëpo, drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, thotë për KP se pas involvimit direkt në dialog të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron, përmes këshilltarëve të tyre, duhet të shohim progres, në veçanti për çështjen e targave.

“Po shihet një interesim i shtuar e Bashkimit Evropian sa i përket dialogut, tani kemi edhe dy përfaqësues personal të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron. Kjo ndikon që ata janë gati të involvohen personalisht në kuadër të dialogut. Tani patjetër se duhet të shohim progres, në veçanti sa i përket zgjidhjes së çështjeve të targave, pas zgjidhjes së çështjeve të letërnjoftimeve. Aty duhet pritur progres, pse jo ndoshta edhe këtë muaj. Por nuk duhet pritur në një afat të shkurtër ndonjë zgjidhje gjithëpërfshirëse në kuptimin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Por gjatë këtij muaji mund të presim dakordim sa i përket çështjes së targave”, deklaron Shasha.

Takimi i fundit i kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq ka qenë më 18 gusht në Bruksel. Aty kreu qeveritar ka thënë se ka prezantuar kapitujt për marrëveshjen finale me njohjen reciproke në qendër.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img