Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, sot është pritur në takim nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri dhe anëtari i Kryesisë, Xhafer Tahiri.
Këtë e ka bërë të ditur Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një postimi në Facebook.
Në njoftim thuhet se në këtë takim është biseduar për gjendjen politike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Në takim u bisedua për gjendjen politike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Kryetari Haziri e falënderoi kryetarin Arifi për vizitën në LDK dhe e ri siguroi edhe njëherë kryetarin e Preshevës që LDK mbetet e përkushtuar për të përkrahur në çdo formë të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, si dhe unitetin e faktorit politik shqiptar në Preshevë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në këto treva etnike pa dallime partiake”, thuhet në postimin e LDK-së.
Ndërsa, Arifi sot në Facebook, ka postuar edhe një fotografi me deputetin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj.
“Takimi me mikun Enver Hoxhaj, përherë kënaqësi! Diskutimet e frytshme për situatat e vështira dhe shpresën për ndryshim në të ardhmen, i gjejmë me vëllezërit kosovar!”, ka shkruar Arifi.
Kreu i Preshevës, dje është pritur edhe nga deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.
Mund të jetë një imazh i 2 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme
Kujtojmë që para katër ditësh, Arifi u prit edhe në Tiranë nga kryebashkiaku Erion Veliaj e më pas u prit edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
“Kënaqësi dhe nder të jem sot tek vëllai im Erioni, si çdo herë, me të cilin kemi një marrëdhënie e veçantë. Nuk është as politike, nuk është as kolegjiale, sa është vëllazërore dhe shpirtërore, dhe në këtë kontekst është për mua, dhe për ne nga Presheva në përgjithësi, jo vetëm një nder, por edhe kënaqësi shpirtërore të jemi këtu me ty, me stafin tuaj, në vendin më të të dashur për preshevarët, Tiranën. Ju urojmë për punët, ju urojmë edhe për sukseset të cilat po shihen qartazi dhe ti Erion je i dashur dhe i mirëseardhur në Preshevë”, deklaroi Arifi më 10 shtator.