Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë debatit parlamentar për Kosovën në parlamentin serb ka thënë se Kosova është e pavarur dhe se çfarëdo që Serbia dëshiron të arrijë në Kosovë, duhet të arrijë në marrëveshje me autoritetet kosovare.
“Serbët në Republikën e Kosovës kanë të drejta të shumta të garantuara me Kushtetutë në përfaqësim parlamentar dhe pushtet ekzekutiv, ndërsa shqiptarët dhe pakicat tjera në Serbi jo”, ka thënë Kamberi.
Kamberi theksoi se SHBA-ja pa mëdyshje përkrah dialogun dhe se marrëveshja e fundit për dokumentet duhet të përdoret për të vazhduar dialogun deri në normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve.
Ai theksoi se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i lidhur me atë çështje dhe se pa progres në dialog, asnjë palë nuk mund të shpresojë për anëtarësim në BE, duke shtuar se BE-ja thotë se dialogu me Kosovën është vendimtar për Serbinë në rrugën e saj evropiane.
Kamberi vlerësoi se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është një nga sfidat më të vështira dhe shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është zgjedhur për të udhëhequr vendin dhe për të gjetur zgjidhje për çështjet më të vështira politike.