Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë takimit me homologun e tij italian, Sergio Mattarella, ka thënë se e mbështesin dialogun Kosovë – Serbi.
Ai tha se beson që formula e zgjidhjes e shprehur nga presidenti i ShBA-së dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, se “marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve” që rezulton me njohje të ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, është zgjidhja e duhur për të garantuar paqe të qëndrueshme në Ballkan.
“Ne e vlerësojmë si shumë të rëndësishme për stabilitetin e rajonit prezencën e KFOR-it në Kosovë, si një prezencë që reflekton paqe dhe stabilitet. E falënderova Presidentin Mattarella për mbështetjen që shteti Italian i ka dhënë Kosovës dhe theksova rëndësinë e vazhdimësisë së kësaj mbështetjeje, veçanërisht për çështjet e sigurisë, liberalizimit të vizave, atë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe vijimin e dialogut me Serbinë”, është shprehur Begaj, shkruan Topchannel.
Më tej, Begaj tha se me Mattarellan folën edhe për rëndësinë e ruajtjes së peshës së BE-së dhe NATO-së në rajon.
“Vendet e Bashkimit Evropian duhet të ndihmojnë Ballkanin, që të vijojë i palëkundur në rrugëtimin Euro-Atlantik pa lënë hapësira influence, që mund të shfrytëzohen nga aktorë të tjerë larg rajonit”, u shpreh Begaj./Prishtinapress/