Ballkani do të debutojë të enjten (nesër) në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Skuadra suharekase bën pjesë në grupin G, derisa në ndeshjen e parë, pra në debutim, do të përballet me Clujin.
Gjegjësisht, “Xhebrailat” do të përballen me skuadrën rumune në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 18:45.
Njëri ndër futbollistët më të mirë te skuadra e Ballkanit sivjet padyshim se është edhe anësori Armend Thaqi. Thaqi që është titullar i padiskutueshëm te skuadra e trajnerit Ilir Daja, në një bisedë me FrontOnline është shprehur optimist për këtë ndeshje historike.
“Jemi në një rang garash që s’mund të themi se jemi favorit pasi skuadrat janë shumë të forta, por assesi nuk do të dorëzohemi dhe vetëm se do të marrim pjesë në grupe”, tha fillimisht Armend Thaqi.
Ai është i vetëdijshëm se skuadrën e tij e pret një ndeshje e vështirë. “E dimë që na pret një ndeshje e vështirë nesër dhe do të përgatitemi në maksimum për të dhënë më të mirën në fushë me angazhim deri në fund”, tregoi ai.
Për fund, mbrojtësi i krahut të djathtë shton se skuadra suharekase është e motivuar.
“Jemi të motivuar dhe shpresojmë që do të bëjmë mirë në grupe”, deklaroi Armend Thaqi.