Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar sot se shkollat duhet të hapen dhe se nxënësve nuk duhet t’u mohohet e drejta kushtetuese për shkollim.
Osmani i ka bërë këto deklarata gjatë një vizite në Komunën e Mamushës, ku u pyet nëse është duke ndërmjetësuar dialogun në mes të Qeverisë dhe Sindikatave të cilat kanë hyrë në grevë tash e disa ditë.
“Unë nuk e quaj vetën ndërmjetësuese, jam presidente e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës e cila e ka një synim, që interesi i fëmijëve dhe i nxënësve të jetë mbi të gjitha. Në këtë synim natyrisht që kam biseduar me të gjithë, edhe me sindikata dhe në këto takime kam qenë shumë e qartë që çelësi për realizmin kërkesave është çelësi i njëjtë që i hap shkollat. Pra shkollat duhet të hapen, nxënësve tanë nuk duhet t’u mohohet e drejta kushtetuese në arsim dhe kjo pastaj vjen në një situatë krejt të re për të diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen komplet sektori i arsimit”, tha Osmani.
Osmani ka thënë se hapja e shkollave nuk mund të kushtëzohet me realizimin e kërkesave sepse sipas presidentes “kjo mund të shpie në një terren tepër të rrezikshëm”.
Presidentja ka bërë thirrje që të vazhdojë mësimi, në mënyrë që të krijohet një situatë krejt e re dhe të mund të diskutohet më tutje.