Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz kanë nisur letra me përmbajtje të njëjtë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vucic. Ajo që ka marrë vëmendjen nga letra franko-gjermane është kërkesa për të marrë “vendime të vështira”.
Lidhur me letrën e dy qendrave evropiane ka folur sot kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se mirëpret interesimin e Berlinit dhe Parisit për të ndihmuar negociatat për një marrëveshje qe në qendër ka njohjen reciproke.
“Kosova e kupton rëndësinë e integrimit evropian në zemrën e të cilit për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe neve në veçanti, ndodhet Gjermania dhe Franca. Andaj, ne e mbështesim faktin që dy shtete kaq të rëndësishme evropiane dhe njohëse të republikës sonë që nga fillimi, do të ndihmojnë ndërmjetësimin e Brukselit për një marrëveshje ligjërisht obligueshme që e ka në qendër njohjen reciproke”, ka thënë Kurti sot pas ceremonisë së shënimit të 23-vjetorit të Policisë së Kosovës.
Lidhur me këtë letër kanë folur edhe nga Serbia. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë se Serbia “asnjëherë nuk i është shmangur veprimeve të vështira” dhe se i kanë ndërmarrë ato kur kanë qenë në interes të qytetarëve.
Kryeministrja serbe ndërkohë ka drejtuar gishtin drejt Republikës së Kosovës duke thënë se ka të atillë që po iu shmangen edhe vendimeve të vështira por edhe vendimeve të lehta.
“Ajo adresë është Prishtina”, ka thënë Bërnabiq.
“Nuk do të ishte me vend të komentoja letrën e Scholz-it dhe Macron-it, sepse ajo i drejtohej presidentit Vuçiq, por ne kurrë nuk i jemi shmangur vendimeve të vështira, i kemi marrë kur kemi menduar se janë në interes të Serbisë dhe qytetarëve tanë”, ka thënë ajo.
E para e qeverisë serbe ka përmendur edhe Asociacionin duke thënë se edhe pse ka dhjetë vite që është nënshkruar ende s’po implementohet.
“Serbia është e gatshme për kompromis”, ka shtuar tutje ajo dje gjatë vizitës në Kosovë.