14.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

A i shkeli Bërnabiq rregullat e vizitës, çfarë tha ajo në Mitrovicën e Veriut

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se nga Mitrovica e Veriut, ku po qëndron për vizitë, dëshiron të përçojë mesazhe të paqes, stabilitetit dhe tolerancës.

Ajo tha se autoritetet nga Serbia, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, do të jenë gjithmonë me komunitetin serb në Kosovë dhe shtoi se është e lumtur që ndodhet në Kosovë “në një moment kaq të vështirë”.

“Jam e lumtur që edhe pas provokimeve të fundit, të 31 korrikut, arritëm ta ruajmë paqen. Interes i Republikës së Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe stabiliteti”, tha Bërnabiq.

Kryeministrja e Serbisë shtoi se vendi i saj do të vazhdojë të luftojë për popullin serb në Kosovë, në mënyrë që përmirësimi i kushteve të jetesës të shihet në terren.

Ajo theksoi se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tha se një gjë të tillë do ta përsërisë kudo që të shkojë – nga Mitrovica në Bruksel e Pekin.

“Në këtë do të vazhdojmë të këmbëngulim çdo ditë”, tha Bërnabiq.

Bërnabiq arriti paraditen e së hënës në Mitrovicë të Veriut, ku u prit nga përfaqësues të Listës Serbe – subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës – si dhe nga përfaqësues të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë.

Paraprakisht u mblodhën edhe punonjës të institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit serb. Ata mbanin në duar pankarta me fjalë përkrahëse, të tilla si: “Derisa e kemi [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Anën tonë, ne nuk i druhemi asgjëje”.

Kjo është vizita e parë e Bërnabiqit në Kosovë prej se është zgjedhur kryetare e Qeverisë serbe, në vitin 2017.

Gjatë qëndrimit njëditor, ajo do të vizitojë komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq – ku popullata shumicë është serbe.

Më 2 shtator, autoritetet e Kosovës lejuan vizitën e saj, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizitat e ndërsjella të zyrtarëve politikë.

Në delegacionin e Bërnabiqit është edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe drejtori i Zyrës për Teknologji informative dhe e-Qeverisje, Mihaillo Jovanoviq.

Më herët, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë tha se kjo vizitë është “domethënëse dhe e rëndësishme” dhe se qëllim i saj është ruajtja e paqes dhe stabilitetit.

Vizita e Bërnabiqit në komunat veriore të Kosovës vjen pasi Prishtina dhe Beogradi ranë dakord për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse-dalëse, të cilat Serbia ua lëshonte qytetarëve të Kosovës qysh në vitin 2011.

Kur Qeveria e Kosovës ndërmori masa reciproke nga 1 gushti, disa serbë lokalë në veri u rebeluan dhe ngritën barrikada, për t’i penguar autoritetet në zbatimin e vendimit të tyre. Për shkak të rritjes së tensioneve, Prishtina zyrtare e shtyu zbatimin e atij vendimi për 30 ditë.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërhynë, duke biseduar me palët si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd.

Dy vendet arritën marrëveshjen për heqjen e dokumenteve hyrëse-dalëse më 27 gusht.

Megjithatë, Kosova nuk hoqi dorë nga vendimi i dytë, i cili ka të bëjë me riregjistrimin e veturave me targa serbe në targa RKS – Republika e Kosovës.

Ky proces filloi më 1 shtator dhe do të zgjasë dy muaj.

Beogradi pret negociata edhe për këtë çështje, përkatësisht propozon targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por këtë gjë Prishtina e refuzon.

Vlerësohet se 10.000 vetura me targa si: KM (Mitrovicë e Kosovës), PZ (Prizren), UR (Ferizaj) e të ngjashme, të lëshuara nga Serbia, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Ato targa u hoqën në komunat në jug të Ibrit rreth 10 vjet më parë, në bazë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes. /REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img