Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka bërë thirrje që të hapen shkollat dhe të fillojë mësimi.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka thënë se ka disa vite që 1 shtatori fillon me ankthin e grevave, duke shtuar se po mohohet e drejta elementare për mësimdhënie dhe mësimnxënie.
“Për gjeneratat që kanë përjetuar shkollat/shtëpi e përpjekjet e jashtëzakonshme të mësimdhënësve vetëm e vetëm të mos ndërpritet procesi mësimor, arsyetimi se “50€ nuk janë sa kemi kërkuar, kërkojmë 100€ deri në miratimin e ligjit të pagave”, nuk është arsyetim i qëndrueshëm krahasuar me dëmin që po i bëhet fëmijëve dhe gjithë procesit mësimor” ka shkruar Kusari-Lila.
Ky është postimi i saj i plotë:
Hapni shkollat, le të fillojë mësimi nesër
Agonia e cila po vazhdon për nxënësit lidhur me (mos) fillimin e mësimit, duhet të mbarojë nesër në gjithë Kosovën, pa dallim kush e udhëheq cilën komunë, apo cila parti udhëheq me cilën drejtori komunale të arsimit.
Të mbash fëmijët jashtë bankave të shkollës dhe jashtë objekteve shkollore, jo vetëm se është e padrejtë, por është e kundërta e vetë misionit të mësimdhënëses/it.
Për gjeneratat që kanë përjetuar shkollat/shtëpi e përpjekjet e jashtëzakonshme të mësimdhënësve vetëm e vetëm të mos ndërpritet procesi mësimor, arsyetimi se “50€ nuk janë sa kemi kërkuar, kërkojmë 100€ deri në miratimin e ligjit të pagave”, nuk është arsyetim i qëndrueshëm krahasuar me dëmin që po i bëhet fëmijëve dhe gjithë procesit mësimor.
Ka disa vite radhazi që 1 Shtatori fillon me të njejtin ankth: a do të ketë apo jo mësim se mund të kemi grevë.
Tash kur ka filluar procesi i diskutimit publik të Projektligjit për Pagat, kur dihet që brenda këtij viti shkollor pagat e mësimdhënësve do të jenë ato meritoret dhe të cilat pas tetë viteve do të reflektojnë ndryshimin e merituar, mohimi i të drejtës elementare për mësimnxënie dhe mësimdhënie, është destruktiv dhe me pasoja të rënda për nxënësit në mbarë Kosovën.
Andaj, apeloj tek drejtuesit e shkollave, mēsimdhënësit dhe gjithë personeli arsimor, filloni procesi mësimor nesër, mos e ndalni atë që ju garanton Kushtetuta e Ligji fëmijëve tonë. Mos i futni fëmijët në gërshërët e betejave politike e institucionale, kemi më shumē nevojë për dritë e dije se për bllokadë e stagnim!
Mësimi duhet të fillojë nesër, nxënësit duhet të ulen në bankat e shkollës aty ku e kanë vendin, jo në rrugë e jo në shtëpi me dëshpërim që ende nuk u gjet zgjidhje për ta!