Pas kërkesës së Thesarit të Shtetit drejtuar Komunës së Drenasit për përpilimin e listave të nëpunësve që janë në grevë, Komuna ka drejtuar tek personat përgjegjës kërkesën e pranuar.
“Nga ta u informuam se përgjegjësit e programeve buxhetore nuk mund të përpilojnë lista siç është kërkuar për nëpunësit grevistë për arsye se të njëjtit janë në grevë dhe nuk kanë ofruar informata sipas kërkesës së Thesarit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.
Poashtu në njoftimin nga zyrtarët përgjegjës, komuna është njoftuar se të gjitha shërbimet e natyrës që lidhen me afate janë kryer në Komunën e Drenasit, pra për disa kërkesa të tyre qytetarët kanë pranuar shërbime.
Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci mbështetë kërkesat e tyre legjitime për paga më të dinjitetshme të të gjithë zyrtarëve publik si dhe mirëpret unitetin e grevistëve në Komunën që ai drejton.
“Shpresojmë që sa më parë të bëhet zgjidhje për kërkesat e tyre legjitime dhe të kthehet normaliteti në punë. Njëherit ju kërkojmë falje gjithë qytetarëve që këto ditë janë duke u ballafaquar me probleme në marrjen e shërbimeve të ndryshme, duke kërkuar mirëkuptimin e tyre për kërkesat legjitime të punëtorëve të sektorit publik”, thuhet në njoftimin e komunës.