Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është një moment vendimtar që ka të ngjarë të ndryshojë Bashkimin Evropian në mënyra të rëndësishme.
Kështu ka thënë kancelari gjerman Olaf Scholz duke shtuar se dëshiron një bashkim më gjeopolitik, një zgjerim të rëndësishëm të bllokut dhe reforma të thella të institucioneve të tij, shkruan Euractiv, përcjell Telegrafi.
Në një fjalim mbi 50-minutësh në Universitetin Charles të Pragës të hënën (29 gusht), pothuajse pesë vjet pas fjalimit të Emmanuel Macron në Sorbonë që parashtroi agjendën e tij të BE-së, Scholz prezantoi idetë e tij se si Evropa dhe BE duhet t’i përgjigjen ndryshimeve politike pas sulmit të Rusisë në Ukrainë.
“… Nëse së bashku arrijmë në përfundimin se Traktatet duhet të ndryshohen në mënyrë që Evropa të bëjë përparim, atëherë ne duhet ta bëjmë këtë”, citohet të ketë thënë ai, duke konfirmuar se një ndryshim traktati mund të jetë në plan.
Sipas Euractiv, përcjell Telegrafi, në terma konkretë, Scholz ka theksuar se ai ishte i vendosur për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – por edhe me Ukrainën, Moldavinë dhe “në vijimësi edhe Gjeorgjinë”.
“Një BE me 30 ose 36 shtete anëtare do të duket ndryshe nga Bashkimi i sotëm”, theksoi Scholz, duke shtuar se Evropa po lëvizte “drejt lindjes”.
Ai ripohoi gjithashtu lidhjen e zgjerimit me reformat.
Në raundet e mëparshme të zgjerimit, “reformat në vendet e anëtarësimit shkuan paralelisht me reformat institucionale brenda Bashkimit Evropian. Kështu do të jetë edhe kësaj radhe”, shpjegoi ai. /Telegrafi/