Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në një prononcim për medien sot përpara nisjes së edicionit të 17-të të Bled 2022, u shpreh i kënaqur ngërçit i erdhi fundi dhe që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po nisin tashmë procesin formal të bisedimeve të anëtarësimit.
Pyetjes nëse pritet një përshpejtim i procesit të anëtarësimit, Rama iu përgjigj: “Sinqerisht nuk jam i sigurt që do të ketë një përshpejtim, në përgjithësi për shkak të arsyeve gjeopolitike, por dua të shpresoj që për shkak të arsyeve gjeopolitike, komuniteti i ri europian politik i propozuar nga Macron dhe i shtjelluar nga Charles Michel, për të cilin po punojmë së bashku me qeverinë holandeze dhe unë me kryeministrin Rutte do të përshpejtojë, është një ide shumë e rëndësishme dhe me shumë potencial”.
“Nga ana tjetër sa i takon Serbisë dhe Kosovës, mendoj që ende është turp i madh që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirisht pa viza, ndërkohë që e bënin këtë kur ishin nën një regjim barbar, ndaj çlirimtarët e tyre po i mbajnë peng dhe ky është një paradoks mjaft i rëndë dhe i turpshëm i kohëve tona.Sa i takon dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, jam i bindur, siç kam qenë, se nuk ka vlerë të humbasim kaq shumë kohë, kaq shumë energji, në vend që të ulemi e të zgjidhim problemet siç u ulën në fund të fundit”, tha ai.
I pyetur nëse ka një mospërputhje në rritje midis autoritetit të Shqipërisë dhe të Kosovës sa i takon marrëdhënies me Beogradin, Rama tha se “nuk ka një gjë të tillë si autoritetet shqiptare dhe kosovare, por ka shqiptarë në Shqipëri dhe shqiptarë në Kosovë si autoritete të shteteve”.
“Nuk ka mospërputhje. Natyrisht kemi disa dallime, çka është normale sepse jemi dy shtete të ndryshme dhe mbështesim plotësisht Kosovën dhe autoritetet kosovare kur vjen fjala për kërkesën e tyre këmbëngulëse për njohje, por kemi një pikëpamje paksa ndryshe se si të arrihet aty. Ne jemi shumë më tepër pro bashkëpunimit dhe ndërtimit hap pas hapi, duke marrë si shembull vende të tjera të cilat arritën të prodhonin histori të jashtëzakonshme suksesi nga konflikti dhe gjakderdhja”, shtoi ai./ATSH