8.8 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Serwer: Vuçiq i është rikthyer pretendimeve të stilit të Millosheviqit për “viktima serbe”

Daniel Serwer, profesor në Universitetin John Hopkins vlerëson se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë “nuk duket e afërt”, por shton se ajo “nuk është e pamundur”.

“Më pyesin shpesh nëse një marrëveshje “përfundimtare” është e afërt. Sigurisht që nuk duket kështu. Vuçiq i është rikthyer pretendimeve të stilit të Millosheviqit për viktima serbe dhe fokusohet në Asociacionin e komunave me shumicë serbe të rënë dakord (por jo të zbatuar). Gërvalla-Schwarz nuk do të kënaqet me më pak se përparim drejt njohjes reciproke. Në rastin konkret të targave, kjo do të nënkuptonte një zgjidhje rreptësisht reciproke”, thotë Serwer në një shkrim të fundit.

Çështja nuk është për targa, thotë ai. “Bëhet fjalë për sovranitetin”.

“Kosova po insiston në reciprocitet sepse ky është rregulli ndërmjet shteteve sovrane. Serbia e refuzon reciprocitetin sepse ky është rregulli ndërmjet shteteve sovrane”.

“Ky rreth, mendoj, mund të jetë katror. Asociacioni që dëshiron Vuçiqi do të duket ndryshe në kontekstin e njohjes reciproke. Gjykata Kushtetuese e Kosovës tashmë e ka bërë të qartë se nuk mund të ketë funksione ekzekutive. Asociacioni mund të jetë përfundimisht i dobishëm për t’i qetësuar komunat veriore të Kosovës. Pa funksione ekzekutive dhe me njohje nuk është një kërcënim i mundshëm për sovranitetin e Kosovës”, shkruan Serwer.

Problemi, sipas tij, është se “rruga drejt kësaj zgjidhjeje nuk është e qartë”.

“As Vuçiq dhe as Kurti nuk kanë çfarë të fitojnë në politikën e brendshme nga një zgjidhje. Asnjëri nuk mendon se duhet të dorëzohet për të fituar avantazhe ndërkombëtare”, thotë Serwer.

Eksperti i politikave në Ballkan theskson se “Serbia është rikthyer në anokraci” dhe se “demokratët e saj janë të përçarë dhe të dobët”.

“Etnonacionalistët e saj filo-rusë janë të fortë. Mjedisi mediatik është më pak se i lirë. Diskursi publik shumë shpesh përqendrohet në “botën serbe”, një ribërje e Serbisë së Madhe të viteve 1990, e ricikluar përmes “botës ruse” të Putinit. Bota serbe kërcënon integritetin territorial jo vetëm të Kosovës, por edhe të Bosnjës dhe Malit të Zi. Beogradi shpreh ambiciet e BE-së, por në praktikë i mbron bastet e tij. Ai ka forcuar lidhjet me Rusinë dhe Kinën, edhe gjatë luftës në Ukrainë. Nuk ka arritur të përafrohet me shumë politika të jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë. Progresi drejt anëtarësimit në BE është ngadalësuar në një zvarritje”, kujton Serwer.

Nërsa Kosovën, e përshkruan si një demokraci të gjallë, “me media të lira dhe konkurrencë të fuqishme politike”.

“Elektorati është i paduruar për një marrëveshje me Serbinë. Kosovarët shpresojnë se kjo do ta detyrojë BE-në ta përmbushë zotimin e saj për heqjen e vizave, të inkurajojë pesë shtete të BE-së që ta njohin sovranitetin e Kosovës dhe të mundësojë përparim më të shpejtë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Megjithatë, kryeministri Kurti ka një mbështetje të madhe vendore për të insistuar në reciprocitet. Atij i mungojnë opsionet ndërkombëtare. As Rusia dhe as Kina nuk janë të interesuar të miqësohen me Kosovën. Kosova me entuziazëm ecën domosdoshmërisht me NATO-n dhe BE-në, të cilat i bëjnë presion Kurtit pa mëshirë”, shkruan Serwer.

“Problemi i Serbisë me targat e Kosovës zbret në një ‘R’ për ‘ Republikën’”, thekson Serwer.

“Beogradi nuk dëshiron të pranojë për udhëtim në Serbi targa që shfaqin atë simbol të frikshëm të sovranitetit dhe dokumentacionin që vjen me të. Kosovarët kanë shpenzuar dhjetë vjet duke mbuluar R-në dhe duke marrë dokumentacion alternativ për hir të mos ofendimit të ndjeshmërisë serbe”, shkruan ai.

Serwer thotë se “është koha që Vuçiq të kuptojë se kjo fortunë e targave është e padenjë për një aspirant për anëtarësim në BE”.

“Kur jetojnë në Kosovë, serbët duhet të bëjnë ashtu siç bëjnë kosovarët. Të udhëtojnë me një R në targat e tyre. Kjo do të thotë se ata pranojnë autoritetin qeverisës të Prishtinës në veri, gjë që Serbia e bëri tashmë në një marrëveshje “politike” të vitit 2013 me Prishtinën. Nuk është aq e vështirë”, përfundon Serwer.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img