Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se vetëm një kryeministër që funksionon mbi imagjinata paranoike e me inate politike, si Albin Kurti, ka komoditetin t’i vë qytetarët dhe komunat e Kosovës buzë kolapsit, duke bllokuar buxhetet dhe projektet investive të tyre.
“I humbur në rrëmujën e paaftësisë qeverisëse, pa plan e pa kompetencë, kryeministri Kurti në vend që të merret me përmirësimin e jetës së qytetarëve, për çka e kanë votuar, ai nga njëra anë po i bllokon të gjitha projektet e komunave, duke mos ua ndarë buxhetin e nevojshëm dhe nga ana tjetër po flet për luftë”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
Postimi i plotë i Memli Krasniqit:
Vetëm një kryeministër që funksionon mbi imagjinata paranoike e me inate politike, si Albin Kurti, ka komoditetin t’i vë qytetarët dhe komunat e Kosovës buzë kolapsit, duke bllokuar buxhetet dhe projektet investive të tyre. I humbur në rrëmujën e paaftësisë qeverisëse, pa plan e pa kompetencë, kryeministri Kurti në vend që të merret me përmirësimin e jetës së qytetarëve, për çka e kanë votuar, ai nga njëra anë po i bllokon të gjitha projektet e komunave, duke mos ua ndarë buxhetin e nevojshëm dhe nga ana tjetër po flet për luftë.
Në turin e vizitave nëpër komuna që kam zhvilluar javëve të fundit, ku pothuajse të gjitha udhëhiqen nga kryetarë që u përkasin partive opozitare në nivel qendror, kam parë vështirësitë reale që ka niveli lokal në zbatimin e projekteve kapitale, për shkak të neglizhencës nga ana e Qeverisë Kurti.Ato projekte që kanë gjetur zbatim, janë bërë me mjetet vetanake të komunave ose nga donacionet që kryetarët kanë arritur t’i marrin nga organizatat ndërkombëtare.
Tani, nëse Qeveria nuk e merr parasysh kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës për ta lëshuar Qarkoren e dytë Buxhetore sa më parë para datës 1 shtator, në afatin e paraparë kur komunat duhet ta dorëzojnë buxhetin për miratim në Kuvendet e Komunave – ajo me qëllim po e zvarritë realizimin e shumë projekteve në interes të qytetarëve anekënd Kosovës.
Kryeministri Kurti dhe ministrat e tij duhet ta ndërrojnë këtë qasje. Zgjedhjet kanë përfunduar dhe kryetarët e komunave qeverisin njëjtë për të gjithë qytetarët e tyre, pa dallim. Jo si kjo Qeveri që u shërben vetëm klientelës, familjarëve e përkrahësve të tyre!