Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu ka reaguar lidhur me zhvillimet në komunën që e drejtonte deri para dy vitesh. Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë që të intervenojë lidhur me ndërtimet në këtë qytet dhe në zonën e Liqenit të Batllavës.
Veliu ka thënë se duhet që organet e drejtësisë të intervenojnë që të ndalet qeverisja korruptive.
“Qytetarët e Llapit nuk do të lejojnë që praktikantët e LVV-së të degradojnë e rrënojnë atë që është ndërtuar për 20 vite me taksat e tyre.”, ka shkruar ai.
Reagimi i plotë i Veliut:
Modeli i keqqeverisjes në nivel qendror po bartet edhe në nivelin lokal.
Dorëheqjet dhe shkarkimet që po ndodhin në ekzekutivin komunal të Podujevës janë pasqyrë e qeverisjes abuzive dhe korruptive nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pas akuzave të drejtorit të shkarkuar të Inspeksionit ndaj kryetarit të Komunës, për lejimin e ndërtimeve ilegale në qytet dhe në zonën e Liqenit të Batllavës, do të duhej të intervenonte prokuroria.
Ndërhyrja e organeve të drejtësisë është e domosdoshme për ndërprerjen e qeverisjes korruptive, por edhe diskriminuese brenda administratës komunale.
Qytetarët e Llapit nuk do të lejojnë që praktikantët dhe abuzuesit e LVV-së të degradojnë e rrënojnë atë që është ndërtuar për 20 vite me taksat e tyre.