Gjykata Themelore e Mitrovicës ka vendosur për vazhdimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajsh ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku dhe dy të tjerëve.
Kështu tha zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nusret Hoxha.
“Seanca është mbajtur dje, paraburgimi u është vazhduar edhe për dy muaj”, tha Hoxha.
Ndryshe, më 4 korrik, Gjykata Themelore në Mitrovicë ua kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Lushtakut dhe dy familjarëve të tij.
Të njëjtit dyshohen për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë e për armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ka ndodhur më 2 korrik në Skenderaj, ku dy policë u plagosën pas një përleshjeje me disa persona, ku të përfshirë dyshohet se janë Lushtaku dhe familjarët e tij.
Sipas, prokurores së rastit, Fetije Bajrami, e gjithë ngjarja ka nisur pasi që djalit të ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dy zyrtarë policorë ia kishin shqiptuar një gjobë për shkelje trafiku.
Ai pastaj e kishte thirrur babanë, e i cili kishte shkuar me dy vëllezërit e tij dhe kishin sulmuar dy zyrtarët policorë, Enver Berishën dhe Mërgim Gecin, pas një përleshjeje verbale që kishin pasur.