Punimet për rrugën Prishtinë – Mitrovicë kanë nisur në vitin 2009, por edhe pas 13 vitesh ato nuk kanë përfunduar. Qe dy ditë, punimet në këtë rrugë janë ndalur tërësisht. Kompania që punonte në rrugë fajëson Ministrinë që nuk i ka paguar faturat, ndërsa Ministria e Infrastrukturës i ka dhënë Gazetës Express një version pak më ndryshe.
Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë, është prej projekteve që duket se nuk ka fund. Për shumë vjet qytetarët që shfrytëzojnë këtë udhë ankohen për mosfunksionalizim e saj. Kryeministrat, me radhë, kanë premtuar se do ta përfundojnë këtë rrugë. Edhe Kryeministri i tanishëm Albin Kurti. Megjithatë, njoftimet e vetme së fundmi për këtë rrugë, janë kur aty ndalen punimet.
Nga kompania “Joos Krasniqi”, që është e nënkontraktuar në këtë projekt, të martën kanë thënë se janë ndërprerë punimet që po zhvilloheshin në rrugën Prishtinë – Mitrovicë.
Në një përgjigje për Express, pronari i kësaj kompanie, Agron Krasniqi, tha se ndërprerja është bërë për shkak të mospagesës së faturave, vlera e të cilave, sipas tij, kalon shifrën prej 5 milionë euro.
Krasniqi tha se Ministria që një vit nuk i ka paguar këto fatura, ndërsa për ndaljen e punimeve thotë se e ka njoftuar edhe Ministrinë e Infrastrukturës.
“Kemi fol me ministrinë, iu kemi dhënë vërejtje më shkrim nja 20 herë. Kena pas takime boll, gjithmonë është tentu ‘të hanën, të martën’, derisa kemi ardhë në përfundim, u kemi dhënë një afat ligjor 30 ditë për me reflektu, nuk kanë reflektu, prandaj për momentin punimet janë ndalë”, tha Krasniqi.
Gazeta Express ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës rreth ndaljes së punimeve dhe pretendimeve të kompanisë për mospagesa.
Punimet janë ndalur, por Ministria e Infrastrukturës mohon se arsyeja për ndaljen e punimeve është ajo që thotë Krasniqi. Sipas saj, “punimet janë ndalur për shkak të problemeve të krijuara nga ana e Konsulencë/Inxhinierit të pavarur, i cili është angazhuar për mbikëqyrjen e punimeve në këtë projekt dhe jo nga ana e MMPHI-së”.
Ministria gjithashtu i ka mohuar akuzat e Krasniqit se nuk i kanë paguar faturat që 1 vit. Zyra për Media e saj thotë se kontraktori nuk ka marrë pagesa që nga muaji mars i vitit 2022.
“Kontraktori nuk ka marrë pagesa që nga marsi 2022 kur edhe kanë rifilluar aktivitet në terren, pagesat nuk janë bërë për shkak të vonesave që i ka krijuar Inxhinieri i Pavarur në aprovimin e certifikatave për pagesë të Kontraktorit”, thuhet në përgjigjen e MMPHI-së.
Ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu, thotë se punimet në këtë rrugë do të nisin “shumë shpejt”.
“Punimet do të rifillojnë shumë shpejt pasi që ky problem është duke u trajtuar me shumë urgjencë dhe seriozitet nga ana e zyrtarëve të MMPHI dhe nga zyrtarët e huadhënësit SFD dhe OFID”, thonë nga ministria.
Sipas të dhënave nga Ministria, vlera e kontratës për rrugën Prishtinë – Mitrovicë, pa TVSH, është mbi 26 milionë e 864 mijë euro, ndërsa deri më tani janë paguar 5 milionë e 111 mijë euro e 166 euro e 53 centë.
Në përgjigjen e MMPHI-së për Express thuhet se sipas planit dinamik përfundimi i projektit do të bëhet në maj të vitit 2023. /GazetaExpress/