Një aksident fatal mes një veture me targa të huaja dhe një autobusi ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit në rrugën Prishtinë-Podujevë. Nga ky aksdident kanë mbetur të vdekur dy persona dhe dy të tjerë janë lënduar.
Rastin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka bërë me dije se viktimat janë një 35-vjeçare me inicialet M.S dhe një 36-vjeçar me inicialet Sh.S, derisa të lënduar kanë mbetur dy fëmijë.
“Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave: Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.