Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron këto ditë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka bërë të ditur se në Uashington ndodhet në vizitë zyrtare, dhe se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri amerikan, Donald Trump.
Thaçi ka thënë për televizionin publik se askush nga Kosova nuk është ftuar në inaugurimin e Trumpit.
“Shtetet do të përfaqësohen vetëm nga ambasadorët dhe asnjë delegacion i huaj nuk ftohet të marrë pjesë – as nga Kosova, as nga vendet e tjera”, ka treguar Thaçi, transmeton Gazeta Express.
“Asnjë shtet nuk do të përfaqësohet nga bartësit e institucioneve, por vetëm nga ambasadorët në Uashington”, ka theksuar Thaçi.
“Në ceremonitë private mund të marrë pjesë kush të dojë. Disa janë të hapura, disa me bileta deri në 500 dollarë”, ka treguar presidenti.
Thaçi po ashtu ka zbuluar agjendën e tij të takimeve në Uashington.
Ai ka thënë se në ditët e ardhshme, gjatë qëndrimit të tij në SHBA, do të takohet me zyrtarë të administratës së presidentit në largim, Barack Obama, duke përfshirë nënpresidentin Joe Biden, dhe me senatorë demokratë e republikanë.
Thaçi ka thënë se në Uashington do të vërë edhe kontakte me zyrtarët e administratës së ardhshme, që do të udhëhiqet nga miliarderi Trump.
http://www.dailymotion.com/video/x57ssan_thaci-shba_news#tab_embed