Autoriteti për Informimin për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit për t’i hedhur “benzinë” zjarrit pasi deklaruan se ish-Presidenti Ilir Meta ka qenë pjesë e sigurimit të shtetit, publikuan edhe një dokument me të tjera detaje.
Dokumenti me vendim nr. 227 mban datën 17 maj të këtij viti dhe thekson se nga verifikimet ka rezultuar se Ilir Meta ka 140 faqe në arkivat e ish-sigurimit të shtetit dhe për këtë është informuar vetë personi.
Por partia e ish-Presidentit mohoi se ka kërkuar informacion dhe se është informuar duke deklaruar se “Autoriteti i Dosjeve duhet të gjejë kush është I.M. pasi nuk është Ilir Meta”.
Në fund, dokumenti mban emrat e kreut të Autoritetit, Gentiana Sula dhe dy anëtarëve, Altin Hoxha dhe Simon Mirakaj, që në qershor mbylli mandatin. “5pyetjet.al” e kontaktoi zotin Mirakaj për t’i marrë një prononcim lidhur me këtë vendim që kanë marrë në maj, por ai tha se nuk i kujtohet.
Dokumenti i Autoritetit të Dosjeve
“Di që përgjigja ka qenë pozitive sepse është verifikuar nga komisioni Bezhani-Mezini dhe personi nuk ka të drejtë kur një person ka marrë certifikatën. Por si verifikuan, kur nuk i lejonte ligji?
Të them të drejtën, ka kaluar pak kohë dhe nuk jam shumë i qartë si kemi vepruar. Informacionet i sjell arkivi. Specialistët e arkivit. Unë nuk jam në dijeni të përgjigjem saktë sepse ka kaluar pak kohë. Nuk më kujtohet” tha ai.
Por a është lakuar ish-presidenti Meta në komision në 17 maj kur është marrë vendimi? “Jo” tha ai. “Përpara se me u emëruar president nga kuvendi ka ardhur një shkresë për verifikim dhe ne i kemi kthyer përgjigje duke iu referuar ligjit, për këtë jam i saktë.
Për këtë pjesë tjetër nuk jam i saktë dhe nuk më kujtohet. Nuk dua t’i shmangem, por nuk më kujtohet, nuk mund të të flas me hamendje pa qenë i sigurt”tha ai për “5pyetjet.al”.