Presidentja Vjosa Osmani në vitin 2015, sa ishte deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte mbajtur një fjalim ku angazhohej fort që deputetët t’ia hapin rrugën krijimit të Gjykatës Speciale, duke i votuar amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës. Teksa argumentonte, Osmani i kishte thënë deputetëteve “nëse unë gaboj, pres që qytetarët të më gjykojnë”. Osmani të premten duke aluduar në Hashim Thaçin tha se e dimë kush ka bërë presion për krijimin e Speciales, por arkiva dëshmon se edhe ajo ishte në anën e Thaçit për këtë temë të nxehtë.
“U tha këtu që vendimet nuk harrohen, unë po pajtohem me ju dhe dua të ndajë me ju një rrëfim: pak para zgjedhejve të fundit kam takuar në Aeroportin e Shkupit disa të rinj që ishin kthyer nga Afganistani sepse ishin atje bashkë me ushtrinë amerikane dhe ata më thanë që në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në qershor kanë ardhur nga Afganistani për të votuar për disa prej nesh. Dhe, unë, kur i pyeta pse, ata më thanë sepse me këtë datë ke votuar kështu, ke votuar kundër kësaj marrëveshje dhe për mua kjo ka qenë një ndër momentret më të rëndësishme në karrierën politike që ta shoh se këto vendim nuk harrohen. Dhe, në qoftë se unë sot gaboj, lutem shumë që ata të më gjykojnë dhe unë pres që të më gjykojnë, le tëmë gjykojnë. Mirëpo le ta gjykojnë secilin i cili është i bindur që ky skenar për të cilin unë deri tani fola mund të ndodhë, qoftë edhe një 20 përqindësh mund të ndodhë …”, kishte deklaruar Osmani.
Por fjalimi i saj s’mbaronte këtu. Osmani për 10 minuta kishte shteruar të gjitha argumentet dhe dijen e saj nga fusha e drejtësisë në favor të asaj që deputetet të votojnë pro. Osmani kishte thënë se nëse një gjë të tillë nuk e bënë Kosova do ta bëjë OKB me iniciativë të Rusisë. Ajo madje kishte sfiduar deputetët që të ” flasin me misionet e shteteve anëtare te KS OKB’ së” dhe të binden për këtë. Osmani madje e kishte përmendur ish-ambasadorin rus Vitali Churkin( tani i ndjerë) se po rrinte me “një këmbë” për ta bërë këtë. Osmani u thoshte deputetëve se as SHBA nuk do të mund ta ndalte një gjë të tillë dhe se gjithçka do të përfundonte me një tekst kompromisi. Osmani pastaj përmendte një varg gjykatash që i kishte krijuar OKB për të adresuar krimet e luftës gjithandej botës. Por, të premten që shkoi Presidentja fajin ia la krejtësisht Presidentit Thaçi.
“Ne nuk harrojmë sado që dikush mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh nuk e harrojmë sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, tha ajo.
Më poshtë mund ta gjeni të plotë fjalimin elokuent të deputetes Vjosa Osmani që tani shërben si Presidente e Kosovës.