Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar lidhur me rastin e një vajze në Prishtinë, e cila është filmuar duke ofenduar një grua me fëmijë dhe e njëjta dëgjohej duke thënë se “e kam babin prokuror”.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, deklaroi për Telegrafin se babai i vajzës me inicialet L.A nuk e ushtron detyrën e prokurorit në asnjë nga prokuroritë në nivel vendi.
“Ju njoftojmë se pas veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, është verifikuar identitet i vajzës në video, V.A, ndërsa babai i saj L.A. i cili nuk ushtron detyrën e Prokurorit të Shtetit në asnjërën Prokurori në nivel të Kosovës”, tha Ulaj.
Ajo tutje bëri të ditur se rasti do të vazhdojë të trajtohet tutje nga organet kompetente.
Ndryshe, në videon e publikuar nga “JOQ Kosova“, vajza dëgjohet duke ofenduar kalimtaren dhe duke bërë gjeste të pahijshme.
“A po don ta thirri policinë a? Babain prokuror e kam”, dëgjohet duke thënë ajo.
Ndërkohë, gruaja tjetër me fëmijë largohet nga disa kalimtarë të rastit.
Videoja ka ngjallur reagime të shumta.