10.2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Kurti asnjë fjalë deri tash rreth Rezolutës kundër raportit të Dick Martyt që miratoi Shqipëria

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, s’ka reaguar ende për miratimin e Rezolutës kundër raportit të Dick Martyt, që u miratua dje në Kuvendin e Shqipërisë, e cila do të dërgohet në Këshillin e Evropës. Përmes kësaj Rezolute, Shqipëria po synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar mbrëmë rezolutën kundër raportit të Dick Martyt. Pro kësaj resolute votuan 125 deputetë.

Për miratimin e kësaj rezolute është deklaruar sot Presidentja Vjosa Osmani, pasi është pyetur nga gazetarët gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën.

Osmani ka thënë se s’mund të pritet një përshëndetje speciale për një zhvillim të tillë, meqë siç thekson ajo qëndrimi i Kosovës për pastërtinë e luftës së UÇK-së është i përditshëm.

“Nuk mund të prisni përshëndetje speciale për një ditë të veçantë, sepse qëndrimi ynë për pastërtinë e luftës çlirimtare është i çdoditshëm, është në çdo veprim tonin, është në çdo punë tonën, është në çdo frymarrje tonën dhe çdo punë që e bëjmë për ta çuar Kosovën përpara, ne e nderojmë secilin çlirimtare. Prandaj qoftë rezolutat që miratohen në Shqipëri, qoftë në Kosovë, ne vazhdimisht e kemi konfirmuar një të vërtetë e cila asnjëherë nuk do të mund të ndryshohet nga askush, pavarësisht nga përpjekjet e Serbisë dhe aleatëve të saj. E vërteta është kjo. Serbia ka qenë agresori, Kosova ka qenë viktimë e një regjimi gjenocidal, UCK-ja e ka mbrojtur popullin e Kosovës dhe ka luftuar për lirinë e vendit tonë”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka thënë se ekziston edhe një parim bazë juridik që një rezoluta apo akt politik ose juridik mund të shfuqizohet vetëm nga organet që i kanë miratuar ato.

“Sa i përket rezolutës së miratuar nga Kuvendi, natyrisht që rezolutat shprehin vullnetet politike të parlamenteve përkatëse. Mirëpo poashtu ekziston edhe një parim bazik juridik, që një akt, qoftë ajo rezoluta apo akt politik apo juridik mund të shfuqizohet vetëm nga organet që i kanë miratuar ato. Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur atë që secili shqiptar e ka thënë deri sot që Lufta çlirimtare e Kosovës, Lufta çlirimtare  UÇK-së s’mund të zhbëhet nga askush. Historinë s’mund ta ndryshojë askush. Kosova asnjëherë nuk ka pasur çfarë të fsheh, sepse Kosova e ka mbrojtur vetveten nga një regjim gjenocidal të udhëhequr nga Millosheviqi në atë kohë, mbetjet e të cilit janë ende në Serbi për fat të keq, në kontekst të mentalitetit po flas”, ka shtuar tutje Osmani.

Për dallim nga Osmani, kryeministri Albin Kurti s’ka dhënë asnjë deklaratë për këtë çështje.

Postimi i tij i fundit në Facebook është i para dy ditëve, ku njoftoi për vendimet e marra në mbledhjen e fundit të Qeverisë, që ai drejton.

Ndërkohë, në Tëitter ka postuar para 13 orësh, ku ka thënë se është i kënaqur që Kuvendi i Kosovës miratoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Nga opozita ka reaguar kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, i cili e ka përshëndetur këtë rezolutë. 

Krasniqi ka falenderuar të gjithë deputetët që e votuan këtë Rezolutë, në veçanti iniciuesit dhe hartuesit e saj.

“E përshëndes miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, e cila, në mes tjerash i adresohet Këshillit të Evropës mbi pabazueshmërinë e pretendimeve të përfshira në raportin e ish Senatorit Dick Marty, të cilat pretendime kanë qenë dhe janë shkak i një barre të padrejtë që ka rënduar mbi supet tona si shtet dhe si shoqëri, tashmë më shumë se një dekadë.

Institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë i kanë përmbushur të gjitha obligimet për t’i trajtuar pretendimet e tilla, përkundër se nuk mund të ketë rezultat për diçka që s’ka as bazë as lëndë. Megjithatë, ne kemi paguar e vazhdojmë të ballafaqohemi padrejtësisht me koston e atyre pretendimeve të pabaza, diçka që do të duhej të merrte epilog pikërisht nga Këshilli i Evropës, për ta çliruar të vërtetën e epokës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fabrikimet qëllimkeqe të armiqve të lirisë dhe pavarësisë sonë”, shkroi Krasniqi.

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar unanimisht, me 125 vota të deputetëve, rezolutën me të cilën synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës.

Seanca u përcoll me shkëmbime akuzash mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, rreth rolit të tyre në luftën e Kosovës dhe në raport me akuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste e cila ka hartuar këtë projekt-rezolutë, Edi Rama, tha më herët gjatë ditës se përmes miratimit të saj synohet kthimi i dinjitetit të popullit shqiptar dhe luftëtarëve të UÇK-së.

“Shqipëria do të merret me reputacionin e cenuar të popullit shqiptar dhe do ta bëjë këtë me dinjitet. Zëri i Shqipërisë do të dëgjohet në Strasburg”, u shpreh Rama.

“Ky proces hetimesh nuk ka sjellë asnjë drejtësi, por ka bërë viktima figurat kryesore të UÇK-së”, shtoi ai.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kërkon të shpallë të pabazuara pretendimet për trafikim të organeve dhe kërkon nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën që aprovon raportin e senatorit zviceran, Dick Marty dhe akuzat e ngritura, të cilat i vlerëson si “të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte”.

Kuvendi i Shqipërisë përmes rezolutës kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës “të realizojë një raport vijues dhe rishikim të Rezolutës 1782” e cila u dha hov pretendimeve për trafikimin e organeve të qenieve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri gjatë luftës së 1998-1999 në Kosovë.

Raporti, i hartuar nga Dick Marty, një politikan zviceran dhe një ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 2010, u shndërrua në arsyen për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, një gjykatë hibride para të cilës ish-krerët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë po gjykohen nën akuza për krime të luftës ndaj civilëve serbë dhe rivalëve politikë.

Raporti i Martyt, i cili u miratua me një rezolutë nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, përmban pretendime se ish-krerët e UÇK-së ishin të përfshirë në trafikim të organeve të qenieve njerëzore gjatë luftës. Akuzat e ngritura në raportin e Martyt janë hetuar nga një prokuror amerikan dhe gjetjet e tij nuk kanë përfshirë dëshmi të bazuara se trafikimi i organeve me qenie njerëzore ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Pretendimet e raportit të Martyt për trafikim organesh nuk janë materializuar as në aktakuzën e ngritur më 2020 kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e Jakup Krasniqi, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, të cilët i mohojnë akuzat.

Megjithatë, pretendimet e Martyt nuk janë hedhur poshtë nga Këshilli i Evropës, ndërkohë që së fundmi Marty është vënë nën mbrojtjen e policisë zvicerane pas zbulimit se strukturat serbe të sigurisë po planifikonin vrasjen e tij.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img