Presidenti Ilir Meta vizitoi të premten Kosovën nga ku mbajti një deklaratë me homologen e tij Vjosa Osmanin.
Ai nuk pranoi asnjë falënderim pasi theksoi se ka bërë thjesht detyrën e tij kushtetuese. Sipas tij mund të kishte bërë më shumë për Kosovën, po të mos kishte problemet e brendshme në Shqipëri.
Sidoqoftë, u zotua se nga e hëna në mëngjes e mbrapa do bënte shumë më shumë.
Meta nënvizoi mikpritjen kuksiane ndërsa shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që ndihmuan Kosovën në një kohë aq të vështirë.
Ndërsa solli në vëmendje lidhjen vëllazërore Shqipëri-Kosovë, presidenti tha se nuk do ju duhej shumë kohë që të kishin dhe një lidhje hekurudhore.
“Besoj shumë se nuk do të na duhet kaq shumë kohë për të pasur një lidhje hekurudhore midis Shqipërisë edhe Kosovës, për të pasur një sistem edhe më komplementar energjitik sidomos në këto kohë sfidash, sa i takon çështjes së sigurisë së energjisë,” – tha Meta.