Lajçak ka thënë se plani ishte të kishte një takim të nivelit të lartë ende para pushimeve verore, por kjo nuk ndodhi.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, konsideron se nuk është tragjedi dështimi i takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas, tij pas vlerësimit të situatës është vendosur që të organizohet më vonë një takim, po që të jetë, siç e ka quajtur ai, i mirë.
“Por, ky nuk është problem, as tragjedi. Më e rëndësishmja është se të dy liderët, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq janë pajtuar për takimin, kanë rënë dakord që të takohen rregullisht. Ata janë dakorduar që dialogun ta qojnë në atë nivel dhe në të njëjtën kohë ne duhet të sigurohemi që takimi i tretë zyrtar në Bruksel të jetë pozitiv dhe të jepë rezultate konkrete”, ka thënë Lajçak për RTK .
Sipas tij, nuk është e rëndësishme se ku do të mbahet takimi, por cilësia e takimit. “Pas vlerësimit të situatës vendosëm që është më mirë të presim pak dhe të sigurohemi që takimi të jetë i mirë”, ka thënë ai.
Edhe pse nuk u realizua takimi i liderëve, Lajçak thotë se ata janë të përkushtuar ndaj dialogut.
“Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur dialog. Vitin e kaluar u fokusuam në diskutimet mes kryenegociatoreve. Ne po punonim shumë. Ata vinin në Bruksel në baza mujore dhe ky angazhim rezultoi me marrëveshje shumë të rëndësishme për energjinë. Janë tre ose katër marrëveshje në fazë të finalizimit.Ne angazhohemi me të dy liderët për hapat e ardhshëm të dialogut. Ramë dakord që kryenegociatorët të vazhdojnë punën e tyre”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se takimi mes dy liderëve, Kurtit dhe Vuçiq nuk duhet të vonohet, ky takim duhet të ndodh më së largu deri në fillim të shtatorit.
“Është gjithmonë e ndërlikuar të luash me takime. Kur isha në Prishtinë thash se unë këtë e pres para pushimeve verore, por jeta ndonjëherë ndryshon planet tona. Por definitivisht nuk do të humbas kohën time e të punoj për takimin e radhës pa vonesë. Qoftë fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit. Nuk shoh asnjë arsye për të pritur përtej kësaj”, ka shtuar Lajçak.