Erik ten Hag ka përsëritur se Cristiano Ronaldo është pjesë e planeve të tij. Ai gjithashtu tha se sulmuesi portugez mund të vazhdojë kontratën e tij.
Trajneri i Manchester Unitedit ka përjashtuar mundësinë e largimit të Ronaldos këtë verë, pavarësisht se lojtari besohet se e ka kërkuar largimin – transmeton Gazeta Express.
Ten Hag tha se po planifikon ta ketë 37-vjeçarin në skuadrën e tij sezonin e ardhshëm. Kur u pyet nëse ai mund të qëndrojë në klub përtej kontratës, holandezi tha se kjo është një mundësi.
“Jam i informuar mirë. Ai gjithashtu ka një opsion [për të zgjatur kontratën e tij deri në 2024]”, tha 52-vjeçari.
Ronaldo nuk po stërvitet me “Djajtë e Kuq” dhe skuadrën në Melburn pasi iu dha leja nga klubi për të mos udhëtuar në turneun para-sezonal të Tajlandës dhe Australisë, siç u tha për arsye personale.
Ten Hag pranoi se nuk e di se kur ai do të rikthehet, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që “CR7” të përfshihet në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Premierligë, kundër Brightonit më 7 gusht.
“Ai po stërvit. Unë mendoj se ne të gjithë e dimë se Ronaldo është një profesionist i lartë dhe ai do të jetë në formë. Ky është shqetësimi i fundit që kam”, shtoi ish-trajneri i Ajaxit, i cili kur u pyet nëse Ronaldo do t’iu bashkohet stërvitjeve në Carrington, tha: “Nuk mund t’ju them. Ende jo.”
Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” shënoi 24 gola sezonin e kaluar, por mbeti në qendër të një debati nëse ai mund të luante në një ekip të rindërtuar te “Djajtë e Kuq”.
Ten Hag dëshiron që ekipi i tij të bëjë presion në mënyrë efektive, por tha se ai nuk ka asnjë shqetësim nëse Ronaldo mund ta bëjë këtë detyrë.
“Unë mendoj se Cristiano është i aftë ta bëjë këtë. Në karrierën e tij ai ka treguar gjithçka. Unë kam vendosur kërkesën time. Ne duam të luajmë në një mënyrë të caktuar. Një lojtar i nivelit të lartë mund të kontribuojë dhe Ronaldo është një top lojtar absolut në skuadrën tonë”, tha Erik ten Hag.
Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë i lidhur me një largim nga “Old Trafford”, derisa ai ende nuk e ka konfirmuar përfundimisht të ardhmen e tij.
Ish-sulmuesi i Real Madridit e Juventusit ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2023, teksa ekziston edhe opsioni për të vazhduar atë edhe për një tjetër vit.