Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka mirëpritur vendimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për përkrahjen e propozimit francez, të cilin e miratuan me 68 vota pro.
Miratimi i propozimit do të thotë debllokim i rrugës evropiane për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si dhe zgjidhje e çështjeve të hapura ndër vite me shtetin e Bullgarisë.
Çitaku, me anë të një postimi në Twitter, ka përkujtuar, siç e cilësoi ajo, përvojën e hidhur të Kosovës me çështjen e mosliberalizimit të vizave, teksa ka shpresuar se Bashkimi Evropian do t’i mbajë premtimet.
“Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sapo i dha dritën e gjelbër propocizimit francez. Kjo do të zhbllokojë hapat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Tani, të shpresojmë se BE-ja do ta mbajë premtimin”.
“Ne në Kosovë kemi eksperiencë të hidhur me liberalizimin e vizave, por shpresoj që kjo do të krijojë një momentum të ri në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ajo.