Një delegacion i organizatës evropiane “Europa Nostra” që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore po qëndron në Kosovë. Ata kanë vizituar Manastirin e Deçanit, të cilin e kanë futur në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021.
Delegacioni i Europa Nostra është pritur dje nga Igumeni Sava Janjic, të cilëve u ka shtruar darkë në ambientet e objektit fetar, raporton Gazeta Express.
Igumeni Janjic ka publikuar disa fotografi të vizitës së delegacionit të organizatës evropiane në manastir.
“I nderuar ta mirëpres delegacionin e Europa Nostra sot në Manastirin e Deçanit. Mbrojtja e trashëgimisë së përbashkët në Evropë është thelbësore për të ardhmen e kontinentit tonë. Duke vizituar vende të traditave të ndryshme Europa Nostra do të theksojë nevojën e mbrojtjes së trashëgimisë në Kosovë. Delegacioni i Europa Nostra që po kalon këto ditë në një vizitë studimore në Kosovë përbëhet nga ekspertë të shquar të cilët janë tejet të angazhuar për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në evropë dhe të punojnë në shumë projekte në këtë fushë. I nderuar që i mirëprita”, thuhet në ‘cicërimën’ e Janjic në Twitter.
Honored to welcome the delegation of @europanostra at Dečani #Monastery today. Protection of the shared #heritage in Europe is essenttial for the future of our continent. By visiting different sites of all traditions EN will emphasize the need of protection of heritage in #Kosovo pic.twitter.com/eZRk5LT8wY
— Dečani Monastery (@DecaniMonastery) July 5, 2022
Futjen e Manastirit të Deçanit në 7 monumentet më të rrezikuara në Evropë, e kanë kundërshtuar institucionet e Kosovës.
Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani i kanë dërguar letër organizatës “Europa Nostra”, që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Në këtë letër, shefi i qeverisë dhe shefja e shtetit kanë argumentuar pse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.
Ndaj futjes së Manastirit të Deçanit në listën e “7 Vendeve më të Rrezikuara në Evropë” ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.
Misioni i KFOR-it në Kosovë prillin e vitit të kaluar në një një përgjigje për Express, kanë deklaruar se nuk kanë regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm kundër Manastirit të Deçanit në 10 vitet e fundit.
“Ne nuk kemi regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm të sigurisë në dhjetë vitet e fundit kundër Manastirit të Deçanit. KFOR-i do të vazhdojë të operojë me qëllim të garantimit të një bashkekzistence paqësore në atë zonë. Të gjitha objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në mbarë Kosovën duhet të respektohen dhe të ruhen. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, në përputhje me parimin e reaguesit të parë, të dytë dhe të tretë”, thuhej në përgjigjen e KFOR-it për Gazetën Express.