Policia e Kosovës ka njoftuar se pas pranimit të disa informatave nga tereni lidhur me disa dyshime për armëmbajtje të paligjshme dhe të shtëna me armë, Policia e Kosovës konkretisht hetuese policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare “Perëndimi” në Gjakovë, pas një pune operativo -hetimore kanë zbuluar se bëhet fjalë për dy shtetas kosovar me iniciale (Xh. M. viti i lindjes 1954 dhe Sh .R. viti i lindjes 1960) të cilët posedojnë armë dhe ato i mbajnë në stanet e tyre në brezin kufitar Kosovë –Shqipëri në vendin e quajtur Pllaçica e Junikut.
“Sot me datë 05.07.2022, me urdhër të Gjykatës kompetente, në orët e hershme të mëngjesit është realizuar plani operativ i koduar “Bjeshka 2022”, është bërë bastisja në dy objekte (stane) në bjeshkën e Junikut dhe në të dy stanet janë gjetur provat/dëshmitë materiale si në vijim: dy (2) armë AK-47 (kallashnikovë), njëzet e pesë (25) copë fishek të kalibrit 7.62 mm dhe tre (3) karikatorë për armë AK-47”, thuhet në njoftim.
I dyshuari i parë ( Xh. M), pas intervistimit me urdhër të prokurorit të rastit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari i dytë nuk ka qenë prezent gjatë bastisjes dhe i njëjti është ftuar për interviste nga hetuesit kompetentë për procedurë të mëtejme.