Drejtori i programeve në organizatën joqeveritare “Demokracia Plus”, Albert Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që menjëherë ta tërheqë nga Kuvendi Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kjo pasi siç ka thënë, Komisioni i Venecias ka konstatuar të meta serioze në këtë Projektligj, “të cilat i kishim ngritur me kohë”.
“Në raportin e publikuar bëhet thirrje që të rishqyrtohet në tërësi nevoja për themelimin e këtij organi. Vihen dyshime që më shumë do të ndërlikonte të gjithë sistemin, sesa që do të mundësonte luftimin efektiv të korrupsionit”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Tutje, ai ka shtuar se nëse do të miratohej ky Projektligj, do të përbënte rrezik për shkeljen e të drejtave themelore të njeriut të garantuara me konventa ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e vendit.
“Byroja nuk do të kishte as pavarësi në punën e saj dhe do të ishte tejet e ekspozuar ndaj ndikimeve të politikës. Me fjalë të tjera, do të ishte një mekanizëm i rrezikshëm në duart e partive në pushtet për të shantazhuar dhe linçuar kundërshtarët politik”.
“Qeveria duhet ta tërheq menjëherë këtë projektligj nga Kuvendi, për t’i adresuar të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, Ministria e Drejtësisë duhet të angazhojë ekspertët më të mirë, “jo të atillë që mendjen e kanë tek ‘pitja’, e cilësinë e ligjeve e krahasojnë me shpejtësinë e shpërndarjes së vajit në tepsi”.
“Lufta kundër korrupsionit nuk duhet të keqpërdoret për qëllime të ulëta politike. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë qëllim në vete!”, ka përfunduar Krasniqi.