1.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Prokurori thotë se të akuzuarit dhe as mbrojtësit e tyre nuk i mohuan veprimet që shkaktuan humbjen e 53 milionëve për autostradë

Lidhur me kundërshtimet e të akuzuarve për 53 milionët e autostradës, prokurori special, Atdhe Dema deklaroi se sot para gjykatës, as nga avokatët mbrojtës dhe të akuzuarit nuk u mohuan veprimet që janë përshkruar në aktakuzës.

Por sipas tij, u arsyetuan me humbjet që mund t’i pësojë shteti sikur të mos kishin vepruar si në aktakuzë.

Ai tha se kjo është dëgjuar së paku nga dy ose tre avokatë.

Në seancën e sotme, mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Musa Damati deklaroi se mbrojtja qëndron në tërësi pranë kundërshtimeve të deponuara. Po ashtu, shton se kjo aktakuzë nuk i përmbush kërkesat bazike ligjore.

Edhe mbrojtësi i ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, avokati Driton Musliu ka thënë se pagesa prej 53 milionë eurove nuk ka pasur alternativë. Ka thënë se nëse nuk do të bëhej pagesa e 53 milionë eurove lënda do të shkonte në Gjykatën e Arbitrazhit dhe shteti do të humbte edhe më shumë para.

Ndërsa, avokati i ish-këshilltarit të Lekajt, Eset Berisha ka thënë se nëse ka shkelje përgjegjësia bie mbi shërbyesit civilë e jo këshilltarët politikë.

Edhe mbrojtësi ish-drejtorit të Prokurorit Besim Tahirit, avokati Urim Vokshi tha se hetimet janë ndërmarrë pas kalimit të afatit të hetimeve, përkatësisht pas dy viteve e 5 muaj.

Gjykatësja Violeta Namani deklaroi se lidhur me kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe përgjigjes së prokurorisë do të vendosë jashtë seancës.

Prokurori tha se gjatë kësaj seance janë dëgjuar edhe çështje të tjera, të cilave tentonin t’i jepnin arsyetim se përse aktakuza paska dështuar dhe si e tillë duhet të pranohen kundërshtimet e tyre.

Ai shtoi se dokumentet që qartazi janë përshkruar në aktakuzë, veprime që qartazi janë përshkruar në aktakuzë, analizë e tërë procesit, ndërsa çështja kryesore është ajo e dëmtimit të buxhetit në shumën edhe që ngarkohen se e kanë kryer në mënyrë joligjore të akuzuarit.

Ai tha se mbrojtja iu referuan pikave 1 dhe 2 të aktakuzës, e që në realitet, sipas tij, janë përshkrime faktike të aktakuzës.

Nëse qëllimi është krijimi i spektakleve, Dema tha se kjo është çështje e mbrojtjes, pasi aktakuza i ka të gjitha elementet, edhe vendin, edhe kohën, edhe mënyrën, edhe përshkrimin e elementit subjektiv.

Dema tha se pretendimet e mbrojtjes se procedura për ekezekutimin e pagesës dhe marrjen e vendimit për 53 milionë eurot është çështje që është rregulluar më herët, i kundërshtojnë në tërësi, pasi ato rrethana janë elaboruar në aktin akuzues.

“Komplet pjesa që lidhet me pjesën materiale, shkeljet e deri te krijimi i figurës së veprave dhe dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë, janë përshkruar qartë në aktakuzë”, ka thënë prokurori Dema.

Sa i përket pretendimeve të mbrojtjes se zgjatja e afatit të hetimeve mund të bëhet vetëm kur janë më shumë se 4 të pandehur, Dema tha se ky është tentim për manipulimin e praktikës gjyqësore dhe precedent i rrezikshëm.

“Pasi nëse i referohemi të njëjtës dispozitë ligjore decidivisht thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake mund ta autorizojë një vazhdim deri në 6 muaj të hetimit në rastet kur hetimi penal është i ndërlikuar, përfshirë por pa u kufizuar, kur ka 4 apo më shumë të pandehur, janë identifikuar disa të dëmtuar, është bërë kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare”, ka shtuar Dema.

Prandaj, sipas tij, argumentimi se vetëm në rastet kur ekzistojnë 4 të pandehur mund të zgjatet hetimi kundërshtohet fuqishëm nga ana e prokurorisë dhe nuk është i qëndrueshëm.

“Prokuroria në mënyrë ekzakte dhe kronologjike i ka përshkruar në aktakuzë të gjitha veprimet e saj, duke iu përmbajtur në plotni obligimeve që dalin nga kodi i procedurës penale”, ka shtuar ai.

Ndërsa, pretendimin tjetër shfajësues, të elaboruar nga mbrojtësi i Tahirit, se prokuroria ka vepruar gabimisht tek zgjatja e hetimit, Dema e ka cilësuar të paqëndrueshëm, pasi kjo çështje është e rregulluar me ligj, e për më tepër sipas tij, ai tha se do tua rikujtojë që për këtë çështje ekziston edhe një shpjegim nga Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj Pnr.130/2018, ku sipas tij janë eliminuar paqartësitë lidhur me çështjen e zgjatjes së hetimit dhe pasojave që prodhohen.

Pretendimet se prokuroria janë thirrur në dokument inekzistente, Dema i ka cilësuar të paqëndrueshme, pasi që sipas tij ekziston edhe Statuti dhe Kodi.

Dema tha se mbrojtja vetëm ka konstatuar se ka gabime në aktakuzë, por se kjo nuk është argumentuar nga të njëjtit, se çka konkretisht është shkelur.

Pretendimet e mbrojtjes, Dema i ka cilësuar të pabazuara.

“Vlerësoj se pretendimet e mbrojtjes, nuk janë të bazuara dhe mbi këtë konsideron se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Mbi këtë bazë, gjykatës i ka propozuar që këto kundërshtime të refuzohen dhe që gjykata më pas të caktoj datën e shqyrtimit kryesor, ku do të bëhet administrimi i provave”, ka deklaruar prokurori Dema.

Më 4 maj, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj  dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në rastin e “53 milionë eurove”.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, kishte ngritur aktakuzë Lekajt dhe të tjerëve në rastin e 53 milionëve të autostradës./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img