KESCO ka bërë me dije se komunikatën e mëhershme ku njoftuan se qytetarët do të faturohen me tarifat e para shtrenjtimit, e kanë lëshuar pa e parë vendimin e Gjykatës Supreme, e cila sot ka ndryshuar aktvendimet e Themelores dhe Apelit për këtë çështje.
Nga KESCO kanë thënë se do të presin instruksionet e Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe se do të veprojnë sipas tyre.
“Sapo u njoftuam pikerisht përmes portalit tuaj për vendimin e Gjykatës Supreme dhe dërguam një njoftim para pak çastesh. Ju lutemi te mos e publikoni komunikatën sepse ua nisëm edhe një shkresë lidhur me këtë çeshtje. Ne do te presim instruksionet nga ZRrE-ja dhe do te veprojmë bazuar në to”, thuhet në përgjigjet e KESCO’s për Express.
KESCO ka dërguar më herët një njoftim ku tha se do të aplikojë te konsumatorët tarifat që kanë qenë para shtrenjtimit të energjisë, deri në një vendim të Zyrës së Rregulltorit për Energji.
Këtë vendim KESCO ka thënë se e ka marrë edhe pse ende s’ka pranuar përgjigje nga ZRRE për propozimin.
“Duke mos pranuar ende përgjigje dhe udhëzimet e nevojshme nga Rregullatori, dhe në anën tjetër duke qenë në prag të leximit të shpenzimeve dhe faturimit, KESCO e gjendur para një situate jo të lehtë, deri në vendimin e ardhshëm të ZRrE-së, ka vendosur që të aplikojë tarifat paraprake, pra tarifat që ishin në fuqi para datës 8 shkurt. Duke shpresuar që kjo situatë e vështirësuar do të gjejë zgjidhjen më të mirë, ne sigurojmë konsumatorët se nuk do të dëmtohen asesi nga ky proces dhe varësisht nga vendimi final që do të pranojmë nga ZRrE-ja, si institucion përgjegjës, KESCO do të zbatojë të gjitha përshtatjet e nevojshme”, thuhet në komunikatë.