Një jelek antiplumb dhe disa municione janë gjetur në shtëpinë e Aleksandër Sadikajt, që mbeti viktimë e një sulmi me tritol këtë të shtunë në Tiranë.
Edhe në makinën që u shpërthye me një sasi rreth 500 gramë lënde shpërthyese C4, policia gjeti një armë, ç’ka tregon se 27-vjeçari i druhej një atentati.
Policia ka sekuestruar pamjet e dhjetëra kamerave të sigurisë, nga ku mund të gjendet se ku dhe kush ka vendosur lëndën plasëse në mjet.
Janë marrë pamjet nga kamerat që ndodhen rreth biznesit që i ndjeri kishte në Komunën e Parisit, aty ku mbante të parkuar makinën në pjesën më të madhe të ditës dhe kamerat që ndodhen pranë shtëpisë së tij në zonën e Saukut të Vjetër.
Sulmi ndaj Aleksandër Sadikajt është i tetëmbëdhjeti dhe më i rëndi në listën e atentateve që kanë tronditur vendin tonë gjatë këtij viti.
Hakmarrja dyshohet të jetë shkaku i vrasjes me eksploziv të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj. Policia dyshon se autorët me të cilët viktima kishte hyrë në konflikt i vendosën pas gomës së përparme të mjetit rreth 500 gr C4. Një tjetër pistë hetimore është ajo e vrasjes për shkak të implikimit në trafikun e drogës dhe borxhet. /Top Channel/